AktualitetBota+Të fundit

Policia me “kolegë” të rinj: Arushë prej pelushi

Policia përballet shpesh gjatë ndërhyrjeve të saj me fëmijë që sapo kanë përjetuar ngjarje traumatike. Një arush prej pelushi mund t’i ndihmojë ata të ndihen më të sigurt dhe të krijojnë besim te policët.

Për t’i ngushëlluar dhe mbështetur fëmijët që përballen me momente dhe situata të vështira policia në landin gjerman të Rheinland-Pfalz do t’i pajisë të gjitha makinat e patrullimit me arushë prej pelushi. Sipas ministrit të Brendshëm të këtij landi, Achim Schwickert, të 375 automjetet e shërbimit të patrullimit dhe të policisë së autostradave do të kenë në bord këta “arushë ngushëllues”.

Këta arinj prej pelushi do t’u ndihmojnë fëmijëve që përjetojnë situata traumatike, si aksidente rrugore, raste dhune ose ngjarje të tjera të rënda.

“Policët tanë hasin shpesh fëmijë që sapo kanë kaluar një përvojë të vështirë. Një arush prej pelushi mund t’u japë atyre një ndjenjë sigurie, t’i qetësojë dhe të krijojë besim në ato çaste,” tha Schwickert. Ideja lindi nga një punim diplome në Akademinë e Policisë të landit Rheinland-Pfalz.

Fëmijë me arush pellushi duke marrë një trajtim
Përvoja e policisë ka treguar se arushë prej pellushi janë një ndihmë e vlefshme në punën e policisë me fëmijë që sapo kanë kaluar një përvojë të vështirëFotografi: picture alliance/Photononstop

Ndjenjë sigurie në momente të vështira

Sipas ministrit përvoja e deritanishme në qytetin Koblenz ka treguar se këta arushë janë një ndihmë e vlefshme në punën e policisë.

“Ata i ndihmojnë efektivët të krijojnë më lehtë kontakt me fëmijët dhe u japin të vegjëlve një ndjenjë sigurie në situata të jashtëzakonshme”, tha ai.

Çdo vit në bashkëpunim me Fondacionin Gjerman të Arushëve prej Pelushi do të sigurohen më shumë se 1.100 arushë për flotën e makinave të policisë. Financimi për vitet 2026 dhe 2027 do të mbulohet nga Fondacioni për Parandalimin e Krimit.

Vendimin nëse një fëmijë do t’i jepet apo jo arushi, do ta marrin vetë policët, në varësi të rrethanave në vendngjarje./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com