GJK rrëzoi kërkesën e PD për zgjedhje e Avokatit të Popullit, reagon Endri Shabani: Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje
Pas vendimit të GJK-së ka reaguar vetë Avokati i Popullit, Endri Shabani, i cili shprehet se respekton vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe vlerësimin e saj për procedurën e ndjekur nga Kuvendi.
Sipas tij, vendimi i dhënë nga GJK i jep përgjigje pikëpyetjeve të ngritura lidhur me procedurën e zgjedhjes së tij në krye të institucionit të Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.
Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.
Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes.
Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Fraksion.com

