Raporti: Inteligjenca ushtarake ruse zgjeron praninë në Madagaskar
Rusia ka zgjeruar lidhjet e saj ushtarake, politike dhe ekonomike me Madagaskarin që kur një grusht shteti ushtarak solli në pushtet kolonelin Michael Randrianirina vitin e kaluar, sipas një hetimi të Radio Free Europe/Radio Liberty.
Gazetarët shqyrtuan regjistrat e fluturimeve dhe dokumente të tjera për të gjurmuar vizitat e oficerëve të inteligjencës ushtarake ruse dhe kontaktet e tyre në këtë shtet ishullor.
Në muajin maj, kryeministri i Madagaskarit, Mamitianna Rajaonarison, u takua në Moskë me kreun e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, për të diskutuar mbi bashkëpunimin, përfshirë trajnimin ushtarak.
Një muaj më parë, një delegacion rus vizitoi një bazë detare të braktisur, të cilën Madagaskari kishte rënë dakord ta rehabilitonte së bashku me Francën.
Në shkurt, Randrianirina udhëtoi drejt Moskës për bisedime me presidentin Vladimir Putin.
Sipas raportit, Randrianirina shprehu interes për bashkëpunim me Rusinë në disa sektorë, përfshirë mbrojtjen.
Në fillim të këtij viti, instruktorë rusë filluan trajnimin e Batalionit të Parë Ajror të Madagaskarit, ndërsa Rusia dërgoi një sasi të paspecifikuar armatimesh.
Në këtë proces u përfshi edhe inteligjenca ushtarake ruse. Anton Papshev, i identifikuar në hetim si oficer i GRU-së (agjencia ruse e inteligjencës ushtarake), mori pjesë në ceremoninë e trajnimit.
Një tjetër oficer i GRU-së, Andrei Averyanov, mbërriti në Madagaskar muajin e mëparshëm së bashku me rreth 40 pjesëtarë të “Korpusit të Afrikës” (Africa Corps) të Rusisë, forcë kjo që mori përsipër disa nga operacionet e Grupit Wagner në Afrikë.
Marrja e pushtetit nga ushtria
Ky orientim drejt Moskës pasoi një krizë politike në Madagaskar gjatë vitit 2025.
Protestat e udhëhequra nga të rinjtë nisën si pasojë e mungesave të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe ujit, për t’u shndërruar më pas në një lëvizje më të gjerë kundër varfërisë, korrupsionit dhe qeverisë së presidentit të atëhershëm, Andry Rajoelina.
Ushtarë të CAPSAT-it, një njësi ushtarake përgjegjëse për logjistikën, iu bashkuan protestuesve dhe tërhoqën mbështetjen e tyre për presidentin.
Pasi Rajoelina u largua nga vendi dhe ligjvënësit votuan për shkarkimin e tij, komandanti i CAPSAT-it, koloneli Randrianirina, njoftoi se ushtria kishte marrë pushtetin.
Fraksion.com

