AktualitetBota+Të fundit

Qindra mijëra njerëz priten në Paris për vizitën e Papës

Papa Leo XIV nis të premten një vizitë katërditore në Francë, kulmi i së cilës do të jetë një meshë madhështore në qendër të Parisit, ku pritet të marrin pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz.

Për ceremoninë e së shtunës pasdite, është ngritur një altar në sheshin “Place de la Concorde”, ndërsa një zonë e gjerë përreth bulevardit “Champs-Élysées” është bllokuar nga policia.

Rreth 600,000 besimtarë katolikë pritet të mbushin bulevardin deri te Harku i Triumfit e më gjerë.

Turma të mëdha priten gjithashtu në etapa të tjera të itinerarit të Papës, duke pasqyruar një entuziazëm që Kisha ia atribuon etjes në rritje shpirtërore mes francezëve dhe evropianëve të tjerë.

Presidenti Emmanuel Macron do ta presë Papën në aeroportin “Orly” të premten në mëngjes dhe më pas do të zhvillojë bisedime me të në Pallatin Élysée mbi çështjet gjeopolitike dhe inteligjencën artificiale (AI). Ai gjithashtu do të mbajë një fjalim së bashku me Papën në Metz.

Megjithatë, presidenti nuk do të marrë pjesë në asnjërën prej meshave të Papës, kryesisht për të shmangur shkeljen e parimit francez të ndarjes së rreptë midis shtetit dhe fesë.

Në vend të kësaj, në meshën në “Champs-Élysées” do të marrin pjesë bashkëshortja e tij, Brigitte, dhe kryeministri Sébastien Lecornu. Pritet gjithashtu prania e disa kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, përfshirë Marine Le Pen nga e djathta nacionaliste, politikanët e qendrës Edouard Philippe dhe Gabriel Attal, si dhe konservatorin Bruno Retailleau.

Patur raportime për tensione midis Macronit dhe ekipit të Vatikanit të dërguar për organizimin e vizitës; thuhet se presidenti ishte i irrituar pasi dëshironte që vizita të kishte një karakter më ceremonial.

Këto pretendime u hodhën poshtë këtë javë nga zyrtarët e Élysée-së, të cilët thanë se është praktikë e zakonshme t’i ofrohet një kreu shteti në vizitë – rol që e mban edhe Papa – një sërë ngjarjesh të nivelit të lartë, siç është shoqërimi nga kalorësit përgjatë “Champs-Élysées”. Megjithatë, ata theksuan se nuk ishte pritur kurrë që Papa ta pranonte realisht një ofertë të tillë.

Ata konfirmuan se Papa Leo e refuzoi idenë e Macronit për një takim me artizanët që ndihmuan në rindërtimin e katedrales “Notre-Dame”, e cila u shkatërrua nga zjarri. Arsyeja, sipas tyre, ishte axhenda tepër e ngjeshur e Papës. Pas një udhëtimi me “Popemobile” (automjetin e Papës) përmes turmave drejt Katedrales së Notre-Dame të premten pasdite, Papa Leo XIV do të bashkohet në mbrëmje me 80,000 të rinj në stadiumin “Stade de France” në veri të Parisit.

Të dielën, 150,000 njerëz janë regjistruar për të marrë pjesë në meshën që do të mbahet në shenjtëroren e Lurdës (Lourdes), në rajonin e Pirenejve.

Të hënën, Papa do të jetë në Metz, në verilindje të Francës, ku do të nderojë Robert Schuman-in (1886-1963), një nga etërit themelues të Bashkimit Evropian dhe një katolik i devotshëm, i cili sot është kandidat për t’u shpallur i lumturuar (procesi para shenjtërimit).

Papa do të takojë gjithashtu një grup emigrantësh në Paris, si dhe disa viktima të abuzimit seksual nga anëtarë të klerit katolik në Lurdë.

I lindur në Çikago në vitin 1955, Papa Leo XIV fillimisht quhej Robert Prevost – një emër francez.

Në fakt, gjyshja e tij nga ana e babait kishte lindur në Le Havre të Normandisë në vitin 1894. Kur ajo u martua në SHBA shumë vite më vonë, ajo dhe bashkëshorti i saj italian morën mbiemrin Prevost, që ishte mbiemri i vajzërisë së nënës së saj.

Franca ka një marrëdhënie historikisht komplekse me Kishën Katolike të Romës. Vendi njihej prej kohësh si “Vajza më e Madhe e Kishës”, sepse supozohej – megjithëse gabimisht – se ishte mbretëria e parë që u konvertua në krishterim. Në fakt, Armenia, Gjeorgjia dhe Etiopia e kishin bërë këtë më parë.

Në shekullin e 14-të, papati u zhvendos në mërgim në Avignon, në jug të Francës, dhe gjatë shekujve në vijim, ushtritë franceze ndërhynin herë pas here në politikën italiane, ku papët ishin njëkohësisht sundimtarë laikë dhe krerë të Kishës.

Napoleoni mbajti dy papë në robëri. Papa të ndryshëm të kohëve të fundit kanë vizituar Francën; ndër ta spikat Gjon Pali II, i cili erdhi disa herë midis viteve 1980 dhe 2004, si dhe Papa Françesku, i cili e vizitoi vendin tri herë, por shmangu Parisin, duke zgjedhur në vend të tij Strasburgun, Marsejën dhe Korsikën.

Sot, Franca është shekullarizuar, ashtu si pjesa tjetër e Evropës, dhe më pak se gjysma e popullsisë identifikohet si katolike.

Numri i besimtarëve që ndjekin rregullisht shërbesat fetare ka rënë nga 35% e popullsisë në vitin 1960 në më pak se 5% sot, ndërsa numri i priftërinjve është reduktuar me dy të tretat: nga 25,000 në vitin 1990 në më pak se 9,000.

Megjithatë, vitet e fundit janë shfaqur shenja të një interesi në rritje për traditën fetare; numri i pagëzimeve të të rriturve është dyfishuar brenda pesë viteve, duke arritur në 10,000 në vitin 2025.

“Franca vërtet është shekullarizuar, por ekziston një zbrazëti aty ku dikur qëndronin Zoti dhe vlerat,” tha Kardinali François Bustillo, Peshkopi i Ajaccio-s.

“Njerëzit janë në kërkim të diçkaje. Ndoshta shkojnë në Indi, në Tibet apo në Amazonë. Dhe tani Papa vjen këtu nga Roma, duke u kujtuar njerëzve rrënjët e tyre.

“Ishte Gjon Pali II ai që zgjoi Lindjen. Tani Leoni XIV do të zgjojë Perëndimin,” tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com