AktualitetBota+Të fundit

Korea e Jugut merr avionin e parë luftarak të prodhuar në seri KF-21 Boramae

Forcat Ajrore të Republikës së Koresë (ROKAF) kanë marrë zyrtarisht sistemin e parë KF-21 Boramae të prodhuar në seri, duke shënuar një moment historik të rëndësishëm në përpjekjen disadekadëshe të vendit për të vënë në shërbim një avion luftarak vendas.

Kompania shtetërore Korea Aerospace Industries (KAI) e dorëzoi platformën në fabrikën e saj në Sacheon, përpara se ta fluturonte atë drejt bazës operacionale në Bazën Ajrore Yecheon.

Avioni u dorëzua me numrin identifikues në bisht 26-001 dhe në konfigurim me dy vende.

Majori Han Jae-seok, një nga pilotët e parë të ROKAF-it të kualifikuar për KF-21, nënshkroi dokumentet e pranimit përpara se të fluturonte me sistemin supersonik, i shoqëruar në formacion nga avionët e prodhuar në vend: FA-50, TA-50 dhe T-50.

Programi i avionit “Young Hawk” (Skifteri i Ri)

Dorëzimi vjen rreth një dekadë pas fillimit të zhvillimit në dhjetor të vitit 2015, duke përmbushur një nismë afatgjatë të shpallur fillimisht nga ish-presidenti Kim Dae-jung në vitin 2001.

Avioni luftarak i gjeneratës 4.5, i quajtur “Young Hawk”, është ndërtuar për të zëvendësuar flotën ekzistuese (të vjetër) të avionëve F-4 dhe F-5 të këtij vendi të Azisë Lindore.

KAI planifikon të dorëzojë 40 avionë të variantit “Block I” (për luftime ajër-ajër) deri në vitin 2028, të ndjekur nga 80 avionë luftarakë shumëfunksionalë të variantit “Block II” me aftësi të avancuara goditëse, deri në vitin 2032.

Pas hyrjes në shërbim, avioni do të operohet nga Skuadroni i 156-të Luftarak i riaktivizuar, nën varësinë e Krahut të 16-të Luftarak; një njësi historike e ROKAF-it që më parë operonte me avionë F-4E Phantom, përpara se të shpërndahej në vitin 2012. Seuli pret ta shpallë avionin plotësisht operacional nga fundi i vitit 2027.

KF-21 Boramae

Struktura e avionit KF-21 të Koresë së Jugut ka një gjatësi prej 17 metrash (57 këmbë), hapje krahësh prej 11 metrash (36 këmbë) dhe mban deri në 6.000 kilogramë (13.200 paund) karburant.

Për sa i përket fuqisë goditëse, avioni do të përdorë topa rrotullues M61A2 Vulcan 20 mm, bomba të drejtuara dhe të padrejtuara, raketa ajër-ajër, raketa ajër-sipërfaqe dhe raketa kundër anijeve.

Ai do të jetë gjithashtu i pajisur me sisteme të ndryshme, radarë dhe sisteme shënjestrimi të avancuara, si dhe me një sistem për luftën elektronike.

Boramae fluturon me dy motorë Hanwha/General Electric F414, të cilët gjenerojnë një fuqi prej 110.000 kuaj-fuqi, duke mundësuar një shpejtësi maksimale prej Mach 1.8 (2.223 kilometra/1.381 milje në orë), një tavan fluturimi prej 16.700 metrash (54.790 këmbë) dhe një rreze veprimi prej 1.500 miljesh detare (2.778 kilometra/1.726 milje).

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com