AktualitetPolitikëTë fundit

Deklarata e Vlora Hysenit, Luarasi: Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime

Deputetja e Partisë Socialiste, Iris Luarasi, reagoi ndaj deklaratës së ish-drejtueses së SHISH-it, Vlora Hyseni drejtuar gazetares Klodiana Lala në hyrje të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).

Luarasi e cilësoi deklaratën si të papranueshme, duke u shprehur se gazetarja po bënte një pyetje me interes publik dhe se, në vend të një përgjigjeje mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë personale.

“Deklarata e ish-drejtueses së SHISH-it ndaj Klodiana Lala në hyrje të GjKKO-së është e papranueshme. Një gazetare po bënte një pyetje me interes publik. Në vend të përgjigjes mori insinuata që dëmtojnë reputacionin, integritetin profesional dhe sigurinë e saj personale”, theksoi Luarasi në një reagim.

Në cilësinë e zëvendëskryetares së Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, Luarasi i bëri thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares.

“Si zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Median, i bëj thirrje SPAK-ut që ta trajtojë me seriozitet dhe me përparësi kallëzimin e gazetares”, u shpreh deputetja.

Ajo iu drejtua gjithashtu institucioneve përgjegjëse me kërkesën për të garantuar mbrojtjen e gazetares.

“I bëj thirrje gjithashtu institucioneve përgjegjëse që të garantojnë mbrojtjen e saj. Pyetjet e gazetarëve duhet të marrin përgjigje, jo kërcënime. Mbrojtja e gazetarëve është detyrim i shtetit dhe kusht për demokracinë. Gazetarët që bëjnë pyetje nuk janë armiq”, u shpreh Luarasi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com