Kredi me zero për qind interes për administratën, Ibrahimaj: Rreth 2100 aplikime, nesër mbyllet thirrja
Rreth 2100 punonjës të administratës publike kanë aplikuar deri tani për kredinë me zero për qind interes për blerjen e një banese, ndërsa në dispozicion janë 300 kuota.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se aplikimet, të hapura më 27 gusht, do të vijojnë deri ditën e nesërme, datë 25 shtator.
“Numrat na bëjnë shumë përshtypje, pasi shumë njerëz kërkojnë një mundësi për të pasur shtëpinë e tyre të re dhe kjo na tregon se sa shumë duhet të bëjmë akoma”, u shpreh Ibrahimaj, në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale.
Ajo u bëri thirrje profesionistëve që plotësojnë kriteret të përfitojnë nga dita e fundit e aplikimeve.
“Nëse je mjek, infermier, mësues, punonjës i Policisë, i Mbrojtjes apo i Burgjeve dhe i plotëson kriteret, ke ende kohë një ditë për të aplikuar përmes “e-Albania””, tha ministrja.
Ibrahimaj theksoi se interesi i lartë për këtë skemë tregon nevojën për politika të mëtejshme në fushën e strehimit.
“Prandaj po punojmë për politika të reja strehimi, që të krijojmë më shumë mundësi për blerjen e një banese apo për të përballuar qiranë”, deklaroi ajo.
Ministrja Ibrahimaj u shpreh se politikat e reja synojnë veçanërisht të rinjtë, profesionistët dhe çiftet e reja që janë në fillimet e jetës së tyre dhe kanë nevojë për mbështetje për të blerë një banesë.
Përfituesit do të përzgjidhen në bazë të sistemit të pikëzimit dhe vëmendje të veçantë në këtë proces do të kenë arsimtarët, mjekët, infermierët, policët, ushtarakët, gardistët, veterinerët, artistët, e tjerë.
Fraksion.com

