AktualitetPolitikëTë fundit

Arresti për ish-drejtuesen e SHISH, Ismaili: SHIK në qeverisjen e PD-së vriste si polici politike

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili deklaroi sot në Kuvend se askush nuk ka imunitet përpara drejtësisë së re dhe as Shërbimi Informativ Shtetëror.

Gjatë debatit në Kuvend mbi hetimin e ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, ministrja Ismaili u shpreh se SHIK është një institucion që prej viteve ’90 e në vijim, me gjithë ngjarjet e zhvilluara ka përfaqësuar rënien e shtetit, përveçse sot”.

“Nuk kanë se si ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm si pushtet i pakufijshëm në duart e xhelatëve, të të gjithëpushtetshmit Sali Berisha që përndiqte, përgjonte, dhunonte, vriste si polici politike, gati institucioni i militarizuar fashist dhe që nuk jepte llogari askund. Si mund ta harrojnë shqiptarët SHIK-un e atëhershëm kur nën mburojën e një kryeministri që urdhëronte Policinë e Shtetit të mos zbatonte urdhërin e arrestit që prokuroria kishte nxjerrë për një ish-funksionar të SHIK-ut, nga ata që Berisha e kishte shpërblyer duke  e emëruar drejtor të Përgjithshëm të Tatimeve”, tha Ismaili.

Sipas saj, “nuk mund të harrohet SHIK-u i Gazidedes si drejtues i operacionit famëkeq të ’97-ës për shtypjen e revoltave popullore”.

“SHIK jo më larg se viti 2012 kur ish-zyrtari i lartë i SHIK-ut Ilir Kumbaro u dënua me 15 vjet burg për torturën që shkaktoi vdekjen e Remzi Hoxhës. Shqiptarët nuk e harrojnë vitin 2009 kur NATO kufizoi përkohësisht aksesin e qeverisë shqiptare në rrjetet e saj të sigurisë dhe në dokumentet e nivelit të lartë të klasifikuar, veçanërisht ato që lidheshin me inteligjencën dhe energjinë bërthamore”, shtoi Ismaili.

Po ashtu ajo akuzoi kreun e PD-së Sali Berisha se ka ndihmuar të arratisej nga Shqipëria në qershor të ’97 ish-kreun e SHIK, që u strehua kryesisht në Turqi dhe Siri.

“Kuriozitet të fortë kam të di se si biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç ka marrë pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me ftesë të posaçme tënden si kryeministër atëherë Sali Berisha. Ndërkohë që në Vlorë përdore SHIK-un për armatosjen e mbështetësve të tu kundër protestave. SHIK më parë digjte redaksi gazetash, rrëmbente, dhunonte, sakatonte gazetarë, ekzekutonte dhe arrestime pa procedura, por me urdhra”, tha ajo.

Ismaili theksoi se shtet pa shtet si ky që ka qeverisur PD nuk ka.

“Ne luftojmë për të garantuar pavarësinë e drejtësisë, ndërsa ju luftoni drejtësinë”, iu drejtua ajo deputetëve të PD-së në sallën e Kuvendit.

Ismaili theksoi se drejtësia garantohet duke i treguar kujtdo se nuk ka pushtet absolut dhe se privilegji i të besuarit për të qenë në krye të një funksioni vjen me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri dhe se ka marrë fund pandëshkueshmëria.

“Nuk mund të thoni se ka drejtësi kur në hetim është një subjekt i mazhorancës, por drejtësia është e kapur kur është subjekt i hetimit opozita. Drejtësi me dy standarde nuk ka. Askush nuk ka imunitet përpara drejtësisë së re si vullnet i kësaj mazhorance. As SHISH sot. Vullneti i mazhorancës është provuar me një vendim për ta shkarkuar menjëherë kryetaren e SHISH, gjë që është ekzekutuar edhe me dekret të Presidentit duke garantuar paanësi dhe pavarësi të drejtësisë në ndjekjen e kësaj çështjeje dhe të çdo çështje tjetër”, shtoi ajo.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com