AktualitetTë fundit

Vlora Hyseni në “arrest shtëpie”, por ndodhet në Azerbaxhan – Dy akuzat që rëndojnë ndaj kreut të SHISH

Zbardhet akuza e SPAK për kreun e SHISH, Vlora Hysenin, për të cilën GJKKO lëshoi masën ‘arrest shtëpie’.

Hysen akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit hetimor.

Ndërkohë gjatë kontrolleve të ushtruara nga SPAK në banesën e saj, Hyseni nuk u gjet. BalkanWeb mëson se Vlora Hyseni ndodhet në Baku të Azerbaxhanit, një një konferencë me 82 shefash shërbimesh Informative nga mbarë bota.

Kujtojmë se SPAK mëngjesin e sotëm nisi një aksion blic, ndërsa ushtroi kontrolle në disa zyra dhe banesa të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë, mes tyre ish-kreun e policisë Ilir Proda.

Si mbërriti SPAK te Vlora Hyseni?

Hetimet ndaj  Ergys Agasit janë zgjeruar pas sekuestrimit dhe këqyrjes së materialeve të gjetura në zyrën e tij. Mes provave të administruara nga SPAK janë edhe pamje filmike që dokumentojnë takime të Agasit me ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Këto materiale, së bashku me prova të tjera, kanë shërbyer për Prokurorinë e Posaçme për të hapur një fraksion të ri të dosjes.

Gjatë seancës në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Agasi ka pranuar se takimet e dokumentuara kanë ndodhur, por ka mohuar që ato të përbëjnë vepër penale.

Në kuadër të të njëjtit operacion, SPAK po kryen kontrolle edhe në banesën e Ilir Prodës, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, si dhe në banesat e zyrtarëve të tjerë të policisë.

Ergys Agasi u arrestua disa javë më parë, pas rreth tetë muajsh në arrati, në kuadër të hetimeve për abuzime të dyshuara me tenderat.

Hetimet vijojnë, ndërsa SPAK po verifikon lidhjet dhe rrethanat që kanë çuar në zgjerimin e dosjes.

Vlora Hyseni dhe personat e tjerë të përmendur në këtë procedim prezumohen të pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com