AktualitetPolitikëTë fundit

Uran Ferizi kandidat për ambasador pranë Misionit të OSBE-së: Integrimi në BE, synim strategjik i Shqipërisë

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me Uran Ferizin, kandidat për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Misionit të OSBE-së dhe Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë.

Gjatë seancës, Ferizi deklaroi se synimi i tij do të jetë përfaqësimi me dinjitet i Shqipërisë, mbrojtja dhe promovimi i interesave të saj, si dhe kontributi që zëri i vendit të jetë konstruktiv dhe i respektuar në arenën ndërkombëtare.

Ai theksoi se detyra në Vjenë nuk kufizohet vetëm te përfaqësimi pranë OSBE-së, por përfshin një gamë të gjerë organizatash dhe institucionesh ndërkombëtare, mes tyre Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA), Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial, Organizata për Ndalimin e Plotë të Provave Bërthamore dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Çështjet Hapësinore.

Në këtë kuadër, ai përmendi edhe bashkëpunimin me Qendrën Ndërkombëtare për Zhvillimin e Politikave të Migracionit (ICMPD) në fushën e emigracionit dhe me Akademinë Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

“Detyrën do ta shihja në dy drejtime: përfaqësimin politik dhe të sigurisë së Shqipërisë, si dhe shfrytëzimin e mundësive konkrete që këto organizata mund t’i ofrojnë vendit tonë”, u shpreh Ferizi.

Ai nënvizoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet synimi strategjik i Shqipërisë. Sipas tij, puna në OSBE dhe në agjencitë e OKB-së duhet të jetë në funksion të avancimit të procesit të integrimit evropian.

“Shqipëria ka hapur 33 kapituj të negociatave dhe ka hyrë tashmë në fazën e mbylljes graduale të tyre. Aty ku OSBE-ja mund të ndihmojë me ekspertizë për funksionimin demokratik, sundimin e ligjit, zgjedhjet, sigurinë apo të drejtat e njeriut, ne duhet ta përdorim këtë ekspertizë për të avancuar reformat tona evropiane”, deklaroi ai.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në OSBE, Ferizi tha se vendi ka tashmë një profil të konsoliduar në këtë organizatë.

Ai e cilësoi kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020 një moment të rëndësishëm për diplomacinë shqiptare, veçanërisht për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19.

Sipas tij, një prioritet i natyrshëm i përfaqësimit në Vjenë do të jetë edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor, me Kosovën në fokus të veçantë.

“Kosova natyrisht është një çështje me rëndësi të veçantë. Aktgjykimi i shkallës së parë javën e kaluar në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe reagimet që pasuan tregojnë se këto çështje vazhdojnë të kenë një peshë të konsiderueshme politike dhe shoqërore në hapësirën mbarëshqiptare dhe në rajon”, deklaroi ai.

Ferizi iu referua edhe deklaratës së përbashkët të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 17 shtator lidhur me aktgjykimin, si dhe shprehu angazhimin për vëmendje ndaj qëndrimeve të Republikës së Kosovës dhe koordinimit me institucionet shqiptare.

“Do të jemi të vëmendshëm ndaj qëndrimeve të Republikës së Kosovës dhe koordinimit me institucionet e Shqipërisë”, theksoi kandidati për ambasador.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi, e vlerësoi Ferizin si një shkencëtar dhe analist me profil të spikatur ndërkombëtar.

Skapi bëri të ditur se Ferizi aktualisht ushtron detyrën e ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, në Britaninë e Madhe dhe Irlandën e Veriut, në Irlandë, si dhe pranë Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO).

Uran Ferizi është diplomuar në Universitetin e Oksfordit, ku ka përfunduar studimet e integruara në matematikë. Ai ka marrë doktoraturën në inxhinieri në University College London, me specializim në modelimin matematikor dhe analizën e avancuar të të dhënave.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com