AktualitetTë fundit

“SPAK urdhëron kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit”: Aludimet për lidhjet e forta me Ergys Agasin dhe këqyrja celularit

SPAK ka urdhëruar kontrollin e banesës së ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.

Aksioni i SPAK ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe përfshin edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi detaje nga aksioni, lajm ky ekskluziv, se prokurorët kanë vlerësuar se gjatë kontrollit të banesës mund të gjenden prova dhe fakte që lidhen me hetimin.

“Rezulton se është urdhëruar kontroll banese për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Proda drejtoi për më shumë se dy vite Policinë dhe është aluduar për lidhje të forta me Ergys Agasin”, deklaroi Klodiana  Lala për News 24.

Ajo shtoi se këqyrja e telefonave pas arrestimit të Ergys Agasit dyshohet se u ka siguruar prokurorëve të dhëna që lidhen me persona të tjerë dhe hetimin që po zhvillohet.

Lala theksoi se bëhet fjalë për persona ndaj të cilëve janë ngritur më herët edhe akuza publike nga opozita shqiptare për lidhje të dyshuara me persona të përfshirë në veprimtari kriminale.

Megjithatë, këto janë pretendime që duhet të provohen në rrugë gjyqësore dhe nuk përbëjnë fajësi të provuar.

“Bëhet fjalë për persona të akuzuar edhe nga opozita shqiptare për lidhje me persona me grup kriminal. Këto janë fakte të rënda nëse provohen me një vendim gjykate”, tha gazetarja.

Kontrollet ndaj ish-drejtorëve të Policisë së Shtetit nuk janë të paprecedenta, por sipas Lalës, rastet e mëparshme kanë qenë të lidhura me çështje të tjera dhe jo domosdoshmërisht me dyshime për lidhje me grupe kriminale.

SPAK pritet të japë më shumë informacion në vijim, ndërsa aksioni dhe kontrollet janë ende në zhvillim.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com