AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi kundër “Paketës së Maleve” dhe ligjit për Investimet Strategjike: 98% e lejeve i përfituan pesë oligarkë

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ka diskutuar dy nisma të Partisë Demokratike, që synojnë shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe të ligjit “Për investimet strategjike”.

Gjatë diskutimit, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kritikoi mënyrën se si është zbatuar ligji për Investimet Strategjike, duke pretenduar se pjesa dërrmuese e lejeve janë përfituar nga një numër i kufizuar biznesmenësh.

“Pas 11 vitesh, rezulton se 98% e rasteve u përkasin pesë oligarkëve që kanë marrë titullin e investitorit strategjik, ndërsa vetëm 2% e vendimeve lidhen me investitorë të huaj”, deklaroi Bardhi.

Ai akuzoi qeverinë se përmes “Paketës së Maleve” synon të zgjerojë këtë model edhe në pyje dhe kullota, duke e lidhur nismën me interesat e investimeve private.

“Pasi shpërndanë bregdetin, me ‘Paketën e Maleve’ kërkojnë të marrin edhe pyjet dhe kullotat”, tha Bardhi.

Sipas tij, projektligji nuk adreson problemet e qytetarëve që kanë ndërtime apo prona të trashëguara në zonat malore, por pa dokumentacion të plotë pronësie.

Bardhi tha se opozita do ta mbështeste një nismë që do t’u jepte zgjidhje këtyre rasteve, por kundërshtoi përfitimet që, sipas tij, mund të krijohen për investitorë privatë.

“Ju nuk ia zgjidhni hallin atij fshatari në majë të malit, i cili ka ndërtuar shtëpinë në tokën që e ka trashëguar brez pas brezi dhe sot e ka pa dokumente”, u shpreh ai.

Në vijim, deputeti i PD-së ngriti pikëpyetje edhe për shtrirjen gjeografike të aplikimeve, duke theksuar se nisma nuk lidhet vetëm me zonat malore.

“Meqë quhet ‘investim në male’, unë nuk di të ketë male as në Kavajë, as në Rrogozhinë, as në Shijak, ku rezulton se ka aplikime”, deklaroi Bardhi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com