Vrasja e francezit në Ksamil: U qëllua disa herë me thikë, sherri dyshohet për një vajzë
Detaje nga ngjarja e rëndë në Ksamil ku humbi jetën i goditur me thikë 20-vjeçari francez Miguel Mendes.
Sipas mjekut, që e pa trupin në morgun e Sarandës, 20-vjeçari kishte disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor.
Vdekja e tij ka qenë e menjëhershme..
Mësohet se Miguel Mendes kishte ardhur në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë.
Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive të dobëta, ndërsa burime bëjnë me dije se në qendër të konfliktit mund të ketë qenë një femër. Ky element mbetet për t’u verifikuar nga hetuesit.
Njoftimi nga policia:
Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Kush është Sokrat Vata, çfarë shkroi BBC:
Vata nuk rezulton me dosje penale në Shqipëri. Megjithatë ai ka emigruar në Angli dhe atje ka pasur përballje me drejtësinë.
BBC në një artikull të 1 tetorit 2024 publikoi pamje nga arrestimi i Sokrat Vatës, pasi u përball me ndjekje policore.

Artikulli i plotë i BBC
Një burrë përmbysi makinën, që po drejtonte pasi nuk u ndal për policinë, është dënuar me pesë vjet burg.
Sokrat Vata, pa adresë të fiksuar, u deklarua fajtor për dy akuza për drejtim të rrezikshëm të mjetit pas ndjekjeve policore në Kembrixh dhe Kent.
Ai u ndoq nga oficerët dhe përmbysi një automjet të klonuar ndërsa ishte në autostradën A20 në East Malling më 13 prill.
27-vjeçari nuk u kap në atë kohë, por disa qese me kokainë dhe targa u gjetën në automjet.
Më 30 prill ai u ndoq përsëri nga oficerët pasi u raportua se një Toyota RAV4 gri e vjedhur po drejtohej në Kembrixh.
Makina u vu re në Rrugën Catherine dhe ndërsa oficerët shkuan të flisnin me Vatën, ai u ngjit në trotuar dhe iku me shpejtësi.

Policia e Cambridgeshire: Sokrat Vata u gjet nga policia i fshehur në një kopsht në Cambridge
Vata u ndal pak më vonë për të lënë një pasagjer të dilte përpara se të vazhdonte për në Rrugën Clara Rackham, ku më pas iku me vrap dhe hodhi një tufë kokaine në një shkurre, tha policia.
Ai u gjet i fshehur në një kopsht të pasmë me 560 paund para në xhepa.
Oficerët gjetën gjithashtu targa në makinën e tij dhe ai rezultoi pozitiv për drejtim mjeti nën ndikimin e drogës.
Në Gjykatën e Kurorës së Kembrixhit më 25 shtator, Vata u dënua me pesë vjet burg.
Ai më parë kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim me qëllim furnizimin me drogë të Klasit A, dy akuza për drejtim mjeti të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim mjeti nën ndikimin e drogës.
Detektivja Louise Trippett tha: “Vata ishte i vendosur të bënte gjithçka që mundte për t’iu shmangur policisë.
“Ai tani ka një dënim të gjatë me burg, të cilin mund ta përdorë për të shqyrtuar veprimet e tij.”
Fraksion.com

