AktualitetTë fundit

Merr flakë autobusi me turistë në Qafën e Kalasë në Berat – Digjet edhe një automjet, nuk ka persona të lënduar

Një autobus i mbushur me turistë të huaj ka marrë flakë sot në Qafën e Kalasë, në Berat, teksa po ngjitej drejt Kalasë së Beratit.

Autobusi me targa AB 917 UE nisi të nxirrte shkëndija në pjesën e motorit. Shoferi, sapo konstatoi problemin, ndaloi menjëherë mjetin, duke bërë të mundur që 52 pasagjerët, mes tyre edhe fëmijë, të zbrisnin në kohë. Fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk ka mbetur i lënduar.

Pas shkëndijave të para në pjesën e motorit, zjarri u përhap me shpejtësi në të gjithë autobusin, i cili u shkrumbua plotësisht. Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe policia, të cilat ndërhynë për shuarjen e flakëve.

Si pasojë e zjarrit u dëmtua rëndë dhe u shkrumbua një automjet tip Benz Fuoristradë, i cili ishte i parkuar pranë një banese. Pronari nuk arriti ta largonte mjetin në kohë.

Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike në motor, ndërsa grupi hetimor po vijon veprimet për të përcaktuar shkaqet e plota të ngjarjes.

Fraksion.com
Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com