AktualitetEkonomiTë fundit

BSH: Mbiçmimi i lekut ndaj dollarit u ngadalësua në 3,3%

Mbiçmimi i lekut kundrejt dollarit amerikan u zbut gjatë tremujorit të dytë të vitit, si pasojë e forcimit të dollarit në tregun ndërkombëtar, bëri të ditur Banka e Shqipërisë në analizën e zhvillimeve në tregun valutor.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kursi mesatar USD/lek rezultoi 82,0 lekë në tremujorin e dytë, nga 82,3 lekë në tremujorin e parë. Në terma vjetorë, mbiçmimi i lekut ndaj dollarit u ngadalësua nga niveli maksimal prej rreth 14% i regjistruar në dy muajt e parë të vitit, në 3,3% në qershor.

Në tri javët e para të korrikut, kursi USD/lek u luhat rreth mesatares 82,1 lekë, ndërsa mbiçmimi vjetor i lekut u ngadalësua më tej, në 1,8%.

Banka e Shqipërisë vlerëson se tregu valutor vijoi të karakterizohej nga normaliteti i parametrave të tregtimit, me luhatje të kufizuara të kursit të këmbimit. Megjithatë, treguesi i anësisë, i cili mat kahun e lëvizjeve ditore të kursit të këmbimit, shfaqi rritje gjatë vitit 2026, pas një periudhe qetësimi relativ në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës së Shqipërisë, ky tregues sinjalizon forcim të presioneve mbi kursin e këmbimit dhe mund të nënkuptojë ndryshim të pritjeve të operatorëve të tregut valutor.

Në këtë situatë, tregu valutor vijon të funksionojë në parametra normalë, ndërsa lëvizjet e kursit të këmbimit mbeten një tregues i rëndësishëm për zhvillimet ekonomike dhe financiare të vendit.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com