Sot dita e 79-të e protestës: Qytetarët sërish në shesh, të vendosur kërkojnë dorëheqjen e Ramës
Protesta e 79-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama pritet të vijojë sot në Tiranë, pas tubimit të një dite më parë, ku mijëra qytetarë u mblodhën dhe marshuan në rrugët e kryeqytetit.
Në protestën e 78-të, fjalimet u mbyllën me thirrjen “Nesër më shumë”, ndërsa qytetarët nisën marshimin në bulevardet e Tiranës. Në tubim morën pjesë edhe shqiptarë të ardhur nga diaspora, të cilët prej ditësh janë bashkuar me protestat në kryeqytet.
Protesta e 79-të vjen pas më shumë se dy muajsh qëndresë të përditshme. Në protestat e fundit, qytetarët kanë deklaruar se do të vijojnë tubimet deri në plotësimin e kërkesave të tyre politike.
Marshimi pritet të zhvillohet përgjatë akseve kryesore të Tiranës, me protestuesit që synojnë të rikthehen përpara Kryeministrisë. Në qendër të protestës mbetet kërkesa për largimin e qeverisë dhe ndryshimin politik.
Protestat kundër qeverisë janë zhvilluar prej javësh, ndërsa në ditët e fundit pjesëmarrja e diasporës është bërë një nga elementët kryesorë të tubimeve në Tiranë.
Fraksion.com

