Berisha: Zjarret jashtë kontrollit, qeveria asnjë qindarkë për zjarrfikësit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot për situatën e zjarreve në vend, duke e cilësuar atë si jashtë kontrollit, ndërsa u ndal edhe tek mënyra e trajtimit të zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve nga qeveria.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha tha se zjarret në të gjithë vendin vijojnë të jenë problem serioz dhe shtoi se qeveria nuk ka ofruar mbështetjen e duhur për forcat zjarrfikëse.
Sipas tij, zjarrfikësve nuk u janë dhënë ende shtesat e premtuara për vështirësitë dhe rrezikun me të cilin përballen gjatë punës.
“Trajtimi i zjarrfikësve dhe punonjësve të angazhuar në shuarjen e flakëve të zjarrit, është cinik, i pashpirt. Asnjë qindarkë nga premtimet, dhe që i meritojnë, të shtesave për vështirësitë e mëdha përballë zjarrit, atyre gjer sot nuk u është dhënë”, tha ai.
Berisha u ndal gjithashtu edhe tek mungesa e mbështetjes logjistike për punonjësit në terren, duke e cilësuar punën e tyre si “tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme”.
“Asnjë prapavijë mbështetëse për punën tmerrësisht të vështirë dhe të rrezikshme që bëjnë, nuk kanë”, tha ai.
Fraksion.com

