U evakuuan dhjetë familje, forca të shumta në terren për izolimin e flakëve në Lundër e Priskë
Pas mesnate së mbrëmshmec janë evakuuar dhjetë familje pas situatës së krijuar si pasojë e zjarrit të rënë në zonën mes Lundrës e Priskës në kryeqytet.
Në një intervistë për mediet, prefekti i Tiranës Hajdari ka bërë me dije se forcave zjarrëfikëse të Tiranës janë bashkuar edhe ato nga qytete të tjera, Peqini, Elbasani, Kamza dhe Vora për të ndihmuar në izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Hajdari tha se “situata është e vështirë, për shkak se në terren janë disa vatra zjarri, në distancë nga njëra tjetra, por situata është nën kontroll”.
Ai pohoi se tre vatrat kryesore të zjarrit janë në Lundër, Gurrë dhe Priskë, por ka edhe disa vatra më të vogla.
Hajdari tha se në terren po punohet edhe me eskavatorë për të penguar përhapjen e flakëve. “Nëse përhapja e flakëve vijon, e favorizuar edhe nga era e fortë gjatë natës, rrezikohet Gurra e Madhe, Farka, por edhe Priska”, tha Hajdari.
“Pavarësisht vështirësive, do ia dalim. Zjarri nuk do të arrijë të prekë banesat dhe jetët e qytetarëve”, nënvizoi Hajdari.
Prefekti i kryeqytetit nënvizoi se prioritet në këto orë të vona pas mesnate mbetet vënia nën kontroll e flakëve dhe shmangia e rrezikut për jetët e qytetarëve.
Fraksion.com

