AktualitetKosovaTë fundit

Përplasjet në Kuvendin e Kosovës thellojnë ngërçin politik

Mosvazhdimi i seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës përshkallëzoi të mërkurën përplasjet mes deputetëve, ndërsa partitë politike kërkojnë zgjidhje për bllokadën institucionale dhe zgjedhjen e presidentit.

Mosvazhdimi i seancës për konstituimin e parlamentit të Kosovës kaloi të mërkurën në përplasje dhe shtyrje fizike ndërmjet deputetëve të partive opozitare dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kreu i Vetëvendosjes, që njëherësh është edhe kryeministër në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë deri në arritjen e një marrëveshjeje politike, sidomos për çështjen e presidentit, që do ta zhbllokonte ngërçin politik tashmë gati dyvjeçar.

Por partitë politike opozitare, që nuk duan marrëveshje me Vetëvendosjen, Partia Demokratike e Kosovës PDK dhe Aleanca kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që vjen nga Vetëvendosja, të thërrasë vazhdimin e seancës, pavarësisht se tashmë afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit ka kaluar.

Përplasje verbale dhe fizike pa plagosje

Përplasjet verbale dhe shtyrjet fizike ndodhën ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, por nuk pati të lënduar.

Sipas nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, aktiviteti i partisë së dytë pas Vetëvendosjes “nuk do të kufizohet më vetëm brenda institucionit të parlamentit, por do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”.Deputetja Time Kadriaj duke gjuajtur me vezë në Kuvendin e Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës pati përplasjet verbale dhe shtyrje fizike ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe atyre të Vetëvendosjes, por nuk pati të lënduar.Fotografi: Valdrin Xhemaj/REUTERS

“Ne i bëjmë thirrje Albin Kurtit, ta kthejmë vendin në binarë kushtetues, ta konstituojmë Kuvendin, t’u lejojmë deputetëve që të ushtrojnë mandatet e tyre. Ne nuk po kërkojmë pushtet, s’po kërkojmë marrëveshje për PDK-në. Po kërkojmë funksionimin e shtetit”, tha Çitaku.

Edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, tha se “Bllokimi i Kuvendit të Kosovës është cenim i sovranitetit dhe rendit kushtetues, duke shtuar se Aleanca “nuk do të lejojë që në asnjë mënyrë të dhunohet e drejta e qytetarëve për të pasur institucione”.

Afati për konstituimin

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi i Kosovës duhej të konstituohej më së voni deri më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por edhe pas kërkesës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, për kohë shtesë deri në arritjen e një marrëveshjeje politike, Kuvendi nuk arriti të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët. Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në bisedime me Vetëvendosjen për një bashkëqeverisje të mundshme, akoma nuk janë pajtuar për marrëveshje politike, ndërkaq, dy partitë tjera PDK dhe Aleanca, që nuk duan marrëveshje me Vetëvendosjen, thonë se kalimi i afatit kushtetues për konstituim të Kuvendit, nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive.Deputetë duke u larguar nga Kuvendi i Kosovës

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kuvendi i Kosovës duhej të konstituohej më së voni deri më 7 gusht, 30 ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit.Fotografi: Armend Nimani/AFP

Vetëvendosja, nga ana tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje politike për çështjet kryesore, atë të presidentit, dhe pastaj të vazhdojnë punimet për konstituimin e parlamentit.

Reagimi i organizatave të shoqërisë civile

Për çështjen e afatit kushtetues të konstituimit të Kuvendit, 14 organizata të shoqërisë civile iu drejtuan me kërkesë për interpretim Gjykatës Kushtetuese. “Kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues”, thuhet në kërkesë. Edhe një grup prej 46 intelektualësh dhe akademikësh, përmes një letre të hapur bëjnë apel për formimin e institucioneve të reja dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, duke thënë se “ngërçi politik ngre rrezikun të cenojë rendin kushtetues, demokracinë dhe funksionimin e shtetit të së drejtës”.

“Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të Kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik”, thuhet ndër të tjera në letër.

“Gjykata Kushtetuese i ka qartësuar detyrimet e deputetëve lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe ka thënë qartë që askush nuk ka të drejtë të pengojë ose bllokojë konstituimin e Kuvendit. Nuk duhet lejuar që vendi të mbetet në një gjendje të paralizës institucionale, e cila krijon precedentë të dëmshëm dhe pasoja afatgjata për funksionimin e institucioneve, rendin kushtetues, stabilitetin dhe sigurinë e vendit”, thuhet më tej në letër.

Reagimi i BE-së

Edhe prania ndërkombëtare në Kosovë u ka bërë udhëheqësve politikë që t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit, në të mirë të të gjithë qytetarëve. Bashkimi Evropian, përmes zyrës në Prishtinë, u ka bërë thirrje partive “që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president”, duke paralajmëruar se “vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së”.

Sidoqoftë, një marrëveshje politike ndërmjet partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosjes, dhe partive opozitare është e domosdoshme në mënyrë që të shmangen edhe një palë zgjedhje të reja, që do të ishin të katërtat brenda dy vjetëve të fundit.

Kriza për zgjedhjen e presidentit mund të përsëritet

Partia në pushtet e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, ka 53 mandate dhe, së bashku me pakicat joserbe që kanë 10 ulëse, mund ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe ta formojë qeverinë, sepse u duhen vetëm minimumi i nevojshëm prej 61 votash nga 120 vende sa i ka parlamenti.Albin Kurti duke folur

Kreu i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë deri në arritjen e një marrëveshjeje politike, sidomos për çështjen e presidentit, që do ta zhbllokonte ngërçin politik tashmë gati dyvjeçar.Fotografi: Armend Nimani/AFP

Për zgjedhjen e presidentit apo presidentes kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë, në mënyrë që votimi të jetë i vlefshëm, prandaj kriza për zgjedhjen e presidentit mund të përsëritet.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti dhe e treta në më pak se dy vjet, që Kosova provon të formojë institucione të qëndrueshme pas zgjedhjeve të njëpasnjëshme parlamentare. Zgjedhjet e jashtëzakonshme të tetë qershorit u mbajtën sepse Kuvendi u shpërnda pasi dështoi ta zgjedhë presidentin e ri të vendit. Një cikël i njëjtë zgjedhjesh mund të përsëritet nëse, brenda 60 ditëve të ardhshme pas konstituimit të Kuvendit, nuk ka marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit. Nëse mund të arrihet një marrëveshje ndërmjet Vetëvendosjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila i ka 18 vende, atëherë do të arrihej numri i të paktën 81 votave, të mjaftueshme për votimin e presidentit/es të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com