AktualitetBota+Të fundit

Bashkëpunimi mes autokratëve rrit shqetësimet në Uashington

Autokracitë kryesore të botës – Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut – po mbështeten gjithnjë e më shumë në burimet, kapacitetet ushtarake të njëri-tjetrit dhe ndikimin gjeopolitik për t’i bërë ballë presionit perëndimor.

Për Uashingtonin, dilema strategjike nuk është më thjesht nëse këto katër vende po bashkëpunojnë, por shkalla në të cilën rreshtimi i tyre po ndryshon balancën e fuqisë në disa fronte njëkohësisht.

Urgjenca e kësaj çështjeje është bërë e qartë në vijën e frontit në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia përdori raketa balistike të Koresë së Veriut në një sulm më 11 gusht ndaj qytetit të Zaporizhjës, ku u vranë shtatë persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Sulmi ndodhi mes raportimeve se një njësi raketore e Koresë së Veriut, e pajisur me deri në 120 raketa balistike, ka nisur që të dislokohet në pjesën perëndimore të Rusisë.

Ndërkohë, Pheniani testoi një tjetër raketë balistike më 11 gusht, vetëm pak ditë para stërvitjeve të mëdha ushtarake SHBA-Kore e Jugut, duke nxitur një reagim të përbashkët të SHBA-së dhe 40 vendeve të tjera. Kjo situatë vë në pah presionet e dyfishta të sigurisë me të cilat përballen Uashingtoni dhe partnerët e tij si në Evropë, ashtu edhe në rajonin e Indo-Paqësorit.

David J. Kramer, drejtor ekzekutiv i Institutit George W. Bush dhe ish-diplomat i lartë amerikan, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) se megjithëse bashkëpunimi mes këtyre katër shteteve – të cilave gjithnjë e më shpesh u referohen me akronimin CRINK – tashmë është operacional, ai nuk arrin nivelin e një aleance formale, të krahasueshme me NATO-n.

“Është operacional dhe selektiv”, tha Kramer për REL-in.

Ky vlerësim pasqyron një realitet që po fiton gjithnjë e më shumë mbështetje në mesin e politikanëve në Uashington: CRINK nuk është as një bllok ushtarak i integruar ngushtë, as thjesht një term i përdorur për lehtësi retorike. Përkundrazi, ai funksionon si një rrjet fleksibil, në të cilin anëtarët bashkëpunojnë aty ku interesat e tyre përputhen, duke i mundësuar secilit regjim të përmirësojë disa nga dobësitë e tij strategjike.

Lufta në Ukrainë është shndërruar në një arenë të rëndësishme për këmbimin e kapaciteteve ushtarake mes anëtarëve të CRINK-ut.

Dronët Shahed, të dizajnuar nga Irani, luajtën një rol kyç në fushatën sulmuese të Rusisë gjatë fazave të hershme të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, të nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Ndërkohë, përfshirja e Koresë së Veriut në konflikt është zgjeruar ndjeshëm. Pheniani ka dërguar trupa për të mbështetur përpjekjet luftarake të Moskës, me vlerësime që janë rritur nga shifra fillestare prej 12.000 deri në 15.000 ushtarë, në raportime që sugjerojnë se numri mund të ketë arritur deri në 50.000, teksa Koreja e Veriut po ashtu e ka furnizuar Rusinë me raketa balistike.

Bashkëpunim praktik

Roli i Kinës mbetet më pak i drejtpërdrejtë në aspektin ushtarak, por gjithsesi është i rëndësishëm.

Pekini ka ndihmuar në financimin e luftës së Rusisë duke blerë energji nga Rusia, teksa i ka ofruar Moskës edhe teknologji me përdorim të dyfishtë.

“Të gjitha këto vende kanë mbështetur dhe përforcuar njëra-tjetrën”, tha Kramer.

Bashkëpunimi krijon gjithashtu mundësi për mësimin në aspektin ushtarak dhe transferimin e teknologjisë. Kramer vuri në pah se Rusia ka zhvilluar versionin e saj të dronëve iranianë Shahed, ndërsa Koreja e Veriut ka përfituar nga dërgimi i trupave dhe raketave dhe me gjasë, në këmbim, po merr teknologji nga Rusia./REL

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com