“Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës”, deputeti në Kiev: Zelensky bëri gabim diplomatik në Serbi
Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka kritikuar deklaratën e presidentit Volodymyr Zelensky në Beograd, ku kreu i shtetit ukrainas rikonfirmoi se Ukraina nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për Kosovën.
Përmes një reagimi në rrjetin social X, deputeti ukrainas ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj deklaratës së presidentit, duke publikuar edhe një fotografi ku shihet heqja e sloganit “Free Ukraine” në Prishtinë.
Goncharenko argumenton se në Ukrainë ekziston mbështetje për pavarësinë e Kosovës dhe se ai do të vijojë përpjekjet politike për ta bindur vendin e tij që ta njohë shtetin e Kosovës.
“Ukrainasit mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe besojmë se Ukraina duhet ta njohë shtetin. Unë do të vazhdoj të luftoj për pavarësinë e Kosovës dhe përfundimisht Ukraina do ta njohë atë”, shkroi deputeti ukrainas.
Deklarata e Goncharenkos vjen pas qëndrimit të përsëritur të Zelenskyt në Beograd, duke rikthyer në vëmendje debatin brenda Ukrainës për mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Fraksion.com

