Kryetari i Komisionit parlamentar ukrainas shpjegon pse Ukraina nuk e njeh Kosovën: Krimea, Serbia dhe municioni
Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërparlamentar në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për njohjen e Kosovës, por se vendimi përfundimtar i takon presidentit Volodymyr Zelensky.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të Shërbimit të Kosovës të Radios Evropa e Lirë, Merezhko deklaron se argumentet kundër njohjes lidhen kryesisht me frikën se Rusia mund ta përdorë Kosovën si precedent për pushtimin e territoreve ukrainase, me mbështetjen e Serbisë për integritetin territorial të Ukrainës dhe, deri diku, me municionin serb që përfundon në Ukrainë.
Megjithatë, ai thotë se personalisht është skeptik ndaj këtyre argumenteve, dhe se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo çështje mund të rikthehet në agjendën politike të Kievit, pas përfundimit të luftës.
Merezhko është deputet i partisë Shërbëtori i Popullit, forca politike e lidhur me presidentin ukrainas, Zelensky.
Gjatë vizitës së parë zyrtare në Beograd, Zelensky tha se shteti i tij s’ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së Kosovës, dhe deklaroi se respekton integritetin territorial të Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare.
Kjo deklaratë nxiti reagime, si në Kosovë, ashtu edhe në Ukrainë.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë, konkretisht, mendon Ukraina se do të humbiste nëse do ta njihte Kosovën sot?
Oleksandr Merezhko: Në Ukrainë ka qëndrime të ndryshme për këtë çështje, veçanërisht mes deputetëve të Radës. Megjithatë, vendimi për njohjen ose mosnjohjen e Kosovës i takon presidentit. Është prerogativë e tij.
Ekzistojnë disa argumente kundër njohjes. I pari është se një vendim i tillë mund t’i jepte, në njëfarë mënyre, një argument Rusisë, e cila mban të pushtuar në mënyrë të paligjshme Krimenë dhe pjesë të rajoneve të tjera të Ukrainës.
Argumenti i dytë është se, meqë Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, edhe Ukraina duhet të mbështesë integritetin territorial të Serbisë.
Argumenti i tretë lidhet me faktin se Serbia u shet municion vendeve të tjera, i cili më pas përfundon në Ukrainë dhe i nevojitet asaj.
Personalisht, jam skeptik ndaj secilit prej këtyre argumenteve, por ky është qëndrimi im personal. Ka gjithashtu argumente në favor të njohjes. Në veçanti, njohja e Kosovës nuk do të përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare, pasi për këtë çështje ekziston edhe opinioni këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Radio Evropa e Lirë: A lidhet qëndrimi i Ukrainës ende kryesisht me Krimenë dhe integritetin territorial, apo ruajtja e marrëdhënieve me Serbinë është bërë po aq e rëndësishme?
Oleksandr Merezhko: Kryesisht lidhet me Krimenë dhe integritetin territorial dhe, ndoshta, edhe me çështjen e municionit.
Megjithatë, sipas mendimit tim, Serbia do të vazhdojë t’u shesë municion vendeve të tjera gjithsesi, sepse përfiton financiarisht nga kjo, dhe për shkak të qëndrimit të Bashkimit Evropian.
Sa u përket marrëdhënieve me Serbinë, fatkeqësisht një pjesë e konsiderueshme e popullsisë së saj vazhdon të jetë nën ndikimin e propagandës ruse, e cila ende nuk është ndaluar në Serbi.
Serbia gjithashtu vazhdon t’i shmanget bashkimit me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Problemi është se [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq nuk synon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, por në të njëjtën kohë ka nevojë të krijojë para BE-së përshtypjen se nuk është vetëm aleat i [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit, por se ka edhe “marrëdhënie të mira” me Kievin.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të ndryshonte që Kievi ta rishqyrtonte çështjen e njohjes së Kosovës?
Oleksandr Merezhko: Kjo çështje mund të rikthehet në agjendë pas përfundimit të luftës. Shumëçka do të varet nga qëndrimi i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të tij anëtare.
Në përgjithësi, jeta politike në Ukrainë është shumë dinamike./REL
Fraksion.com

