AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: 4 televizionet kombëtare nuk më pasqyrojnë! Rama mori hapësirë 15 orë, opozita vetëm 4!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar televizionet kombëtare për pabarazi në pasqyrimin mediatik mes mazhorancës dhe opozitës. Në një deklaratë, Berisha tha se zyra e shtypit e PD-së ka monitoruar katër televizione kombëtare: RTSH, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus, duke pretenduar se në një periudhë 30-ditore këto media i kanë kushtuar PS-së dhe kryeministrit Edi Rama rreth 15 orë e 11 minuta, ndërsa opozitës vetëm 4 orë e 47 minuta. Në një dalje për mediaat, kjo situatë bie ndesh me parimin e “par condicio”, që kërkon një trajtim të barabartë të forcave politike në media gjatë proceseve zgjedhore.

Berisha solli si shembull datën 26 qershor, kur, sipas monitorimit të PD-së, opozita mori vetëm 1 minutë e 30 sekonda, ndërsa PS-së iu kushtuan 48 minuta e 45 sekonda. Ai akuzoi gjithashtu mediat se kohën e raportimit për protestat e opozitës e llogarisin si kohë të dedikuar PD-së, duke pretenduar se kjo deformon treguesit e pasqyrimit mediatik.

Berisha u bëri thirrje organizatave të gazetarëve dhe mediave që të monitorojnë situatën dhe të informojnë publikun mbi atë që ai e cilësoi si “kapje të egër të televizioneve kombëtare”. Kreu i PD-së kritikoi edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA), duke pretenduar se të dhënat e publikuara prej tij nuk pasqyrojnë realisht pabarazinë në mbulimin mediatik të forcave politike.

“Përsëri ne, zyra e shtypit ka monitoruar katër televizionet kombëtare, të cilët janë mamuthët, oligarkët, janë në një mënyrë apo në një tjetër censorët dhe xhelatët më kryesorë të fjalës së lirë. Këto katër media kombëtare, televizioni shtetëror, Top Channel, Klan dhe Vizion Plus i kanë kushtuar Edi Ramës dhe PS në 30 ditë të marra së bashku 15 orë, 10 minuta dhe 59 sekonda.

Pra, 15 orë kundrejt vetëm 4 orëve, 46 minutave dhe 43 sekondave apo 23.9 përqind opozitës. Sipas ligjit universal, par condicio, i çdo vendi demokratik, këto media duhet t’u akordonin kohë të barabartë pozitës dhe opozitës. Por Edi Rama ndër të tjera llogarit edhe lajmet që japin non-stop për protestën 71-ditore mediat, ia llogarit si kohë PD-së.
E vërteta është që ka ditë të caktuara në të cilat për PD-në, nga këto media është dhënë 1 minutë e 30 sekonda, kurse për PS-në, dhe kjo është data 26 qershor, për PS janë dhënë 48 minuta e 45 sekonda, pra një raport 32.5 me 1. Kjo është pabarazia ekstreme që diktohet nga qeveria mbi mediat e kontrolluara prej tij. Dhe dy binjaket siameze në mashtrim në AMA i servirin Ramës dhe publikut për tregues të vërtetë, treguesin që më shumë se çdo gjë tjetër flet për sulmet e shfrenuara që bëhen çdo ditë nga puthadorët e qeverisë ndaj opozitës dhe drejtuesve të saj.”, tha ai.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com