Situata e zjarreve, 23 vatra në 24 orët e fundit, 6 vijojnë aktive dhe 2 në monitorim
Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 2 janë në monitorim.
Agjencia për Media dhe Informim njoftoi sot se në operacione janë angazhuar rreth 525 forca operacionale, ndërsa në mbështetje janë rreth 270 efektivë të Forcave të Armatosura, 7 automjete zjarrfikëse, autoambulancë dhe 5 helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Krujë-Abaze vijon operacioni më i gjerë, me rreth 400 efektivë dhe mbështetje nga ajri me 3 helikopterë. Terreni i vështirë po e bën ndërhyrjen më komplekse. Aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Cikallesh (Kavajë) vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit, me forca nga disa bashki dhe mbështetje ajrore.
Në Mallakastër vijojnë operacionet në Ndrenie–Lofkënd–Vlosh, Koilaç–Greshicë dhe Hekal.
Në Dajt dhe Priskë e Madhe vatrat e zjarrit vijojnë në monitorim dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Zjarret në Xhaferaj–Oblikë, Uruçaj, Guri i Çpuar, Andon Poçi–Hundëkuq dhe Arrëz e Madhe–Arrëz e Vogël janë shuar plotësisht.
Sipas MIA-s, deri tani rezultojnë rreth 60 hektarë sipërfaqe të djegur.
Për sot parashikohet rrezik i lartë zjarresh në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Fraksion.com

