“Kosova s’bën dot shtet”- Vezë në drejtim të Kurtit dhe përplasje fizike mes deputetëve
Kuvendi i Kosovës u mblodh sot për të vijuar seancën konstituive të nisur më 6 gusht. Të pranishëm në sallë ishin 109 deputetë.
Mirëpo, gjatë seancës, kreu i LVV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
“Prandaj, që t’i evitojmë zgjedhjet e reja, ju lus për kohë shtesë”, deklaroi Kurti.
Pas kërkesës së tij pati tensione në sallën e Kuvendit. Deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, iu afrua dhe nisi të hidhte vezë në drejtim të tij. Deputetët e grupeve të ndryshme parlamentare u ngritën në këmbë dhe nisën përplasjet fizike mes tyre.
Një natë më parë, deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës kërkuan që seanca të zhvillohej para skadimit të afatit, por përpjekjet nuk dhanë rezultat.
Ndërkohë, kreu i LVV-së, Albin Kurti, dhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan të premten, por nuk arritën një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja.
Më pas, Kurti i dërgoi një ofertë kreut të PDK-së, Bedri Hamza, duke propozuar që PDK-ja të mbështeste zgjedhjen e presidentit të ri, në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit.
Megjithatë, deri tani nuk ka një marrëveshje mes partive politike, ndërsa sot pritet të shihet nëse Kuvendi do të arrijë të bëjë përpara me konstituimin e tij.
Fraksion.com

