AktualitetTë fundit

Zjarret aktive në Dajt, Kavajë dhe Mallakastër, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri

Vijojnë operacionet për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit në disa zona të vendit, ndërsa në disa qarqe situata paraqitet nën kontroll dhe pa rrezik për zonat e banuara.

Sipas informacionit të Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), në Dajt vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me angazhimin e 30 efektivëve të MZSH-së, 10 punonjësve të ADZM-së dhe një helikopteri të Forcës Ajrore.

Në Çakallesh/Cikallesh (Kavajë) zjarri mbetet aktiv në një terren të vështirë.

Në operacion janë angazhuar forca të MZSH-së nga Kavaja, Rrogozhina dhe Vora, si dhe avioni “Air Tractor”, për shkak të rrezikut për banesat.

Në Mallakastër, në zonën Riban–Ngraçan–Panahor, ndërhyrja vijon nga toka dhe ajri me forca të shumta të MZSH-së, Forcave të Armatosura dhe dy helikopterë. Sipërfaqja e djegur vlerësohet në rreth 180 hektarë pyll me pisha.

Në Kostren 2, në Berat, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit me tre automjete zjarrfikëse dhe 20 efektivë të MZSH-së.

Ndërkohë, në Elbasan, në zonat Shqiponjë, mali i Dardhës dhe Mjekës, vatrat e zjarrit janë nën kontroll ose të izoluara dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com