“Operacion i koduar” – Ekstradohen në Shqipëri dy persona nga Kolumbia dhe Italia
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit të koduar “The Wanted”, duke bërë të mundur ekstradimin në Shqipëri të dy shtetasve të kërkuar për vepra të rënda penale.
Nga Kolumbia është ekstraduar shtetasi kolumbian S. R. R., 53 vjeç, i akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas policisë, ai dyshohet se ka shoqëruar një ngarkesë me lëndë narkotike, të nisur nga porti Buenaventura në Kolumbi, përmes Greqisë dhe Malit të Zi, me destinacion final Shqipërinë.
Ngarkesa ishte transportuar me anije dhe ishte deklaruar si pleh organik. Hetimet e përbashkëta me autoritetet e Malit të Zi zbuluan se në të fshiheshin lëndë narkotike.
Ndërkohë, nga Italia është ekstraduar shtetasi F. T., 38 vjeç, lindur në Bulqizë, i kërkuar nga autoritetet shqiptare për disa vepra penale.
Sipas Policisë, ndaj tij Gjykata e Dibrës ka caktuar në vitin 2024 masën “Arrest në burg” për “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Ai dyshohet se ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person në aksin Bulqizë-Tiranë, pas një konflikti verbal.
F. T. është gjithashtu i akuzuar për “Goditjet për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim, ndërsa në vitin 2018 është dënuar me dy muaj burgim për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik.
Policia e Shtetit theksoi se ekstradimet janë rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologët në Bogota dhe Romë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Fraksion.com

