AktualitetBota+Të fundit

Gjermani: AfD prin, CDU/CSU humbasin simpatizantë në sondazh

Sipas sondazhit “ARD-DeutschlandTrend” Unioni CDU/CSU vazhdon të humbasë mbështetje, në elektorat, kurse AfD-ja po shënon rritje dhe arriti nivelin më të lartë të mbështetjes deri tani.

Në pyetjen aktuale të sondazhit “Për cilën parti do të votonit sikur të dielën të zhvilloheshin zgjedhje” CDU/CSU ra në kuotën 21 për qind (-1 përqind krahasuar me muajin e kaluar), ndërsa AfD-ja u rrit në kuotën 28 për qind (+1 përqind). Ky është rezultati më i lartë i matur ndonjëherë për këtë parti në sondazhin ARD-DeutschlandTrend.

Kancelari Friedrich Merz
Ndryshimet që bëri kancelari Merz në kabinet nuk duket se kanë ndryshuar në reputacionin e qeverisë dhe të kancelarit.Fotografi: Bernd Elmenthaler/Geisler-Fotopress/picture alliance

Që nga zgjedhjete para gati një viti e gjysmë mbështetje tek elektorati ka humbur jo vetëm grupi konservator CDU/CSU, por edhe partia socialdemokrate SPD.

Përfituesja më e madhe nga pakënaqësia ndaj qeverisë ka qenë AfD-ja, por edhe të Gjelbrit dhe Partia e Majtë (Die Linke) kanë arritur të fitojnë më shumë përkrahës krahasuar me periudhën e zgjedhjeve.

Në sondazhin aktual SPD-ja vazhdon pa ndryshim me 12 për qind, të Gjelbrit 15 për qind, Partia e Majtë në 11 për qind dhe partia liberale FDP në 4 për qind.

Për sondazhin përfaqësues Infratest dimap pyeti 1.297 qytetarë me të drejtë vote.

Pakënaqësi me qeverisjen

Ndryshimet që bëri kancelari Merz në kabinet nuk duket se kanë ndryshuar në reputacionin e qeverisë dhe të kancelarit.

Mbi dy të tretat e të anketuarve mendojnë se pas ndryshimeve në personel qeveria federale do të punojë po aq keq sa deri tani (57 për qind) ose madje edhe më keq (11 për qind). Vetëm rreth një e katërta kanë vlerësim pozitiv: 12 për qind mendojnë se qeveria do të punojë më mirë, ndërsa 12 për qind të tjerë besojnë se ajo do të punojë po aq mirë sa deri tani.

Söder, Merz, Bas dhe Klingbeil konferencë për shtyp
57 për qind e të anketuarve mendojnë se qeveria gjermane do të punojë po aq keq sa deri tani, ose madje edhe më keq (11 për qind)Fotografi: Michael Kappeler/dpa/picture alliance

Vetëm një pakicë prej 13 për qind shprehet shumë e kënaqur ose e kënaqur me punën e qeverisë federale, ndërsa shumica dërrmuese, 85 për qind, deklaron se është e pakënaqur.

Nevojë e lartë për ndryshim

Pakënaqësia ndaj qeverisë ushqehet gjithashtu nga dëshira gjithnjë e më e madhe për ndryshim. Më shumë se gjysma e popullsisë (55 për qind, ose 7 përqind më shumë krahasuar me dhjetorin 2024) dëshiron një ndryshim rrënjësor në Gjermani.

Këto vlera të larta nxiten veçanërisht nga mbështetësit e AfD-së (86 për qind) dhe të Partisë së Majtë, Die Linke (71 për qind). Megjithatë këto dy grupe kanë vizione shumë të ndryshme për mënyrën se si duhet të jetë ky ndryshim politik. Por të dyja palët e shohin se idetë dhe synimet e tyre politike nuk po realizohen nga qeveria aktuale./DW

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com