MM: 25 vatra zjarri në 12 orë, 10 vijojnë aktive
Gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri në territorin e vendit, nga të cilat 10 vijojnë të jenë aktive, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve janë angazhuar 47 automjete zjarrfikëse dhe 454 forca operacionale, përmes koordinimit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefekturave, njësive të qeverisjes vendore dhe Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 110 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe 3 automjete zjarrfikëse të FA-së.
Në zonën e Dajtit vijon operacioni nga toka dhe ajri, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Po ashtu, vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe pyjore në fshatin Priskë, në bashkinë Tiranë, pa rrezik për banesat.
Në fshatrat Riban dhe Ngraçan, në bashkinë Mallakastër, zjarri po shkon drejt izolimit falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri.
Në qarkun e Elbasanit vijon puna në vatrat e Shqiponjës, malit të Dardhës, Mjekësit dhe zonës së mbrojtur në malin e Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë nën kontroll dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Kostren 2, bashkia Berat, është riaktivizuar një vatër zjarri, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Zjarret në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet–Drojë të Kurbinit janë shuar.
AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve në të gjithë territorin.
Fraksion.com

