Mbi 1300 gjoba për shkelje rrugore në Fier përgjatë një jave
Policia Rrugore e Fierit ka kryer monitorim intensiv me pajisje inteligjente në akset rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse, me objektiv parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të dispozitave të Kodit Rrugor, janë proceduar penalisht 12 shtetas. Prej tyre, 6 janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa lejedrejtimi, ndërsa 6 drejtues të tjerë mjetesh janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa lejedrejtimi.
Në kuadër të kontrolleve parandaluese, të organizuara me grupe kontrolli në rrugët urbane dhe lokale, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 1313 masa administrative.
Konkretisht, 921 masa administrative për tejkalim të shpejtësisë në rrugët interurbane dhe në autostradën A2; 19 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit; 2 masa administrative për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit; 20 masa administrative për parakalim të gabuar; 10 masa administrative për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit; 341 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor, të cilat përbëjnë burim aksidentesh.
Gjithashtu, janë sekuestruar 6 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.
Fraksion.com

