AktualitetTë fundit

Dy vatra zjarri po mbahen nën monitorim në qarkun e Elbasanit – Situata më problematike në Malin e Dardhës

Vijon beteja me vatrat e zjarrit në qarkun e Elbasanit, ku strukturat e emergjencës dhe shërbimet zjarrfikëse janë duke punuar prej disa ditësh për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht mbeten në monitorim dy vatra aktive, një në fshatin Shqiponjë të bashkisë Prrenjas dhe tjetra në Malin e Dardhës të bashkisë Librazhd.

Situata më e ndërlikuar paraqitet në masivin pyjor të Malit të Dardhës, në Njësinë Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd ku vatra e zjarrit është aktive prej tetë ditësh. Sipas informacioneve nga terreni në Malin e Dardhës, zjarri mënghesin e kësaj të enjteje është izoluar në masën rreth 90%, ndërsa sipërfaqja e përshkuar nga flakët llogaritet të paktën rreth 6 hektarë. Bëhet fjalë për një zjarr sipërfaqësor, ndërsa për ditën e sotme është planifikuar inspektim dhe monitorim i zonës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.

Në operacionin e djeshëm për shuarjen e zjarrit në Malin e Dardhës në një zonë jashtëzakonisht të vështirë u angazhuan 8 efektivë të shërbimit zjarrfikës, të mbështetur nga 3 punonjës të sektorit pyjor, të cilët punuan për neutralizimin e vatrës së fundit .

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, vatrat e zjarrit në Shqiponjë të Prrenjasit dhe në fshatin Mjekës të Elbasanit dje janë vënë nën kontroll të plotë . Mbrëmë shërbimi zjarrfikës i Elbasanit bëri me dije se zjarri në Mjekës është shuar plotësisht , ndërsa autoritetet e pushtetit vendor bëjnë me dije se fatmirësisht nuk pati rrezik për banesat apo nënstacionin elektrik 400 kv , ndërsa forcat në terren vijojnë monitorimin për të shmangur riaktivizimin e flakëve.
Në terren janë angazhuar 12 automjete zjarrfikëse dhe dhjetëra punonjës të strukturave të emergjencës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com