AktualitetPolitikëTë fundit

“Histori mafioze dhe korrupsioni” – Berisha për Aeroportin e Vlorës: Treshja faqezezë Rama-Balluku-Balla donin t’i merrnin aksionet Pacollit! Lubia donte vjedhjen më të madhe në Ballkan!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar ashpër në konferencën për mediat situatën rreth projektit të Aeroportit të Vlorës, pas paralajmërimit të biznesmenit Behgjet Pacolli se do ta dërgojë çështjen në arbitrazh, pasi qeveria nisi procedurat për zgjidhjen e kontratës me kompanitë.

Berisha ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, ish-ministres Belinda Balluku dhe ministrit Taulant Balla, duke i cilësuar si një “treshe faqezinjsh” që kanë synuar t’i rrëmbejnë me forcë aksionet Pacollit përmes ortakut tjetër të ndërtimit.

Duke u ndalur te prapaskenat e këtij konflikti biznesi dhe shteti, lideri i opozitës u shpreh se Pacolli nuk i ka dorëzuar aksionet, pasi nuk pranon pazaret e tyre korruptive:

“Pra, këtu janë një treshe faqezinjsh, Edi Rama, Lubi Balluku, Taulant Balla, që kanë përdorur atë ortakun tjetër të ndërtimit për t’ia marrë Pacollit aksionet e aeroportit. Pacolli aksionet nuk i jep. Është biznesmen me eksperiencë dhe duket se nuk plotëson pazarin e tyre. Janë më qesharakët në botë, proceset në botë ndaj kësaj dosjeje. Dëshmia që Pacolli ka bërë, si u thirr nga Belinda dhe si ajo u veçua me biznesmenin turk, dëshmoi se Rama-Balluku dhe Taulant Balla janë pretendentët kryesorë për aksionet. Histori mafioze e korrupsioni të papara.”

Berisha nuk ka kursyer as fjalët më të rënda për Belinda Ballukun, duke e akuzuar se ka mashtruar publikisht me dimensionet e projektit vetëm për të fshehur vjedhjet kolosale:

“Belinda Balluku, e cila për hir të së vërtetës, në çdo rrafsh përfaqëson një nulitet njerëzor, një turp njerëzor, në çdo rrafsh, vraponte në Akërni dhe deklaronte se Vlora do ketë aeroportin më të madh në Ballkan, duke treguar veten se Ballkani nuk ka një injorante të dytë si ajo, që nuk di as të maskojë vjedhjet e saj. Të pretendosh të ndërtosh në Vlorë aeroportin më të madh të Ballkanit dmth të gjobisësh shqiptarët me një gjobë të tmerrshme… Pse e donin Rama dhe Balluku më të madhin në Ballkan? Për të bërë vjedhjen më të madhe në Ballkan me një aeroport!”

Në përfundim, kryetari i PD-së u ndal te dëmi mjedisor që i është shkaktuar zonës së mbrojtur të lagunës dhe tek angazhimi i forcave të rendit për të mbrojtur interesat e qeveritarëve:

“Kur theksohej se ndërtohej aeroporti që i zhduk flamingot… Imagjino të fluturojë avioni mbi lagunë. Ne e ngritëm si problem, edhe disa mjedisore, por për të mbrojtur nga protestat, aty ditë e natë ishin të stacionuara 30 mikrobusa dhe autobusa policie, sepse Rama dhe Balluku mbronin ‘pronën e tyre’.”

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com