14 vatra zjarri të raportuara në 12 orët e fundit, 5 mbeten aktive
Katërmbëdhjetë vatra zjarri janë raportuar në territorin e vendit gjatë 12 orëve të fundit, ndërsa 5 prej tyre vijojnë të jenë aktive.
Agjencia për Media dhe Informim bëri të ditur sot se, operacionet për izolimin dhe shuarjen e zjarreve po vijojnë me angazhimin e 182 forcave operacionale, 19 automjeteve zjarrfikëse, 3 helikopterëve dhe 1 avioni të Forcës Ajrore.
Ndërhyrjet janë përqendruar në zonën e Dajtit, në fshatin Riban të Mallakastrës, fshatin Shqiponjë të Prrenjasit, Vërzhezhë të Skraparit, Krekëz në Himarë, si dhe në zonën malore ndërmjet Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull.
Në Riban, rreziku për zonat e banuara është eliminuar falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri, ndërsa 15 familje janë evakuuar përkohësisht si masë parandaluese.
Nga vatrat e shuara janë prekur rreth 1.5 hektarë me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore. Sipërfaqja e prekur nga zjarret aktive vijon të jetë në vlerësim.
Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile po vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve për përballimin e zjarreve në të gjithë territorin.
Fraksion.com

