Devijuan rrjedhën e lumit Devoll me gërryerje të paligjshme, tre të arrestuar në Cërrik
Policia e Cërrikut vuri në pranga tre persona të cilët përmes gërryerjeve të paligjshme devijuan rrjedhën e lumit Devoll dhe rrezikuan tokat bujqësore në fshatin Gostimë.
Policia njoftoi se u arrestuan në flagrancë shtetasit L. X., 35 vjeç, banues në Cërrik, L. B., 42 vjeç (shtetas indian), banues në Cërrik dhe B. T., 46 vjeç, banues në fshatin Shalës si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. H., 22 vjeç.
Sipas policisë, nga veprimet hetimore rezultoi se për llogari të subjektit që administronte 22-vjeçari dhe kishte të punësuar shtetasit L. X. dhe L. B., gërryhej me mjete të rënda, shtrati i lumit Devoll, veprimtari nga e cila ishte devijuar rrjedha e lumit dhe rrezikohej përmbytja e tokave bujqësore në fshatin Gostimë.
Gjithashtu, policia njoftoi se nga këto veprime rezultoi se subjekti e kryente gërryerjen jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen që kishte për këtë veprimtari.
“Përveç ndëshkimit penal për shtetasit përgjegjës, subjekti u ndëshkua dhe administrativisht nga strukturat kompetente të IKMT, Tiranë, dhe IMT, Cërrik”, njoftoi policia.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se 46-vjeçari kishte ndërtuar pa leje, në afërsi të zonës ku ndodhej subjekti që administronte i afërmi i tij, shtetasi K. H..
Policia bëri me dije se punohet intensivisht për kapjen e 22-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Fraksion.com

