“Opozita me mazhorancën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm?”, Berisha: I kemi dhënë fund çdo bashkëpunimi me PS-në për emra
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë në një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK-ut, ku është paraqitur ditën e sotme. Gjatë prononcimit, ai është pyetur nëse opozita do të bashkëpunojë me Partinë Socialiste për përzgjedhjen e emrit të Prokurorit të Ri të Përgjithshëm, duke dhënë një përgjigje se çdo lloj bashkëpunimi është ndërprerë.
“Nuk marrim pjesë në përzgjedhje emrash pas aktit të tyre me Avokatin e Popullit. Kemi ndërprerë çdo bashkëpunim në përzgjedhjen e emrave me PS,” u shpreh Berisha.
Gjithashtu, kreu i PD-së ka bërë një koment kritik për statusin aktual të institucionit të akuzës, duke theksuar se ai është reduktuar në funksione statistikore.
“Mund të them se Prokurori i Përgjithshëm sot është institucioni më i zhveshur nga çdo kompetencë. Për mendimin tim është një zhveshje e gabuar që i kanë bërë atij, sepse është institucion kushtetues dhe ta lësh atë sa për ca statistika është një akt i gabuar. Mendoj se mund të korrigjohen disa gabime që janë bërë,” përfundoi Berisha.

