AktualitetKosovaTë fundit

Kurti dhe Abdixhiku takohen të martën, PDK dhe Aleanca refuzojnë ftesën

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen të martën në përpjekje për të arritur një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit pas zgjedhjeve të qershorit.

Besian Mustafa nga LDK i tha Radios Evropa e Lirë se takimi do të mbahet në orën 18:00 të së martës, në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Kurti iu drejtua me ftesë edhe Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës, por krerët e dy partive e refuzuan takimin.

Ftesa e Kurtit, partia e të cilit fitoi zgjedhjet e 7 qershorit, vjen tri ditë para se të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën që kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar Kurtit, thuhet se në takimin e parë në korrik, është bërë i qartë qëndrimi i partisë se do të qëndrojë në opozitë.

“Presim nga ju që në përputhje me përgjegjësitë që burojnë nga zgjedhjet e 7 qershorit, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të arrini marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit”, thuhet në letrën e Hamzës, që u publikua nga mediat vendore në Kosovë.

Aleanca e udhëhequr nga Ardian Gjini, po ashtu e refuzoi takimin, sikurse kishte vepruar edhe në korrik.

Në ftesën që i ishte dërguar Aleancës, Kurti kishte propozuar që takimet të mund të mbaheshin të martën ose të mërkurën, pa ndonjë orë të caktuar.

Partia e Gjinit, në letrën që i ka dërguar Kurtit, ka kujtuar se kjo parti veçse ka vendosur gjashtë kushte në këmbim të votës për krijimin e institucioneve, duke shtuar se nuk është e interesuar që të bëhet pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, thuhet në letrën që Gjini i ka kthyer Kurtit më 3 gusht.

Në mesin e kushteve të paraqitura nga Aleanca është pranimi i menjëhershëm i projektit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të gazit të lëngshëm natyror, nisja e procedurave për ndërtimin e një termocentrali të ri me thëngjill, lehtësime për bizneset e vogla, heqja e tatimit në pronë për sektorin e bujqësisë e disa të tjera.

Më 10 korrik, Kurti ishte takuar ndaras me udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së. Pas takimit, Bedri Hamza i PDK-së kishte thënë se partia e tij do të mbetej në opozitë. Ndërkaq, Lumir Abdixhiku i LDK-së ishte shprehur i gatshëm për takime të reja.

LDK-ja, pas një kuvendi partiak të mbajtur ditë më parë, po ashtu konfirmoi se është e gatshme të ndihmojë në krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të qershorit.

Partia e Abdixhikut kishte pezulluar bisedimet, pasi disa delegatë kishin iniciuar një mocion për shkarkimin e kreut të partisë. Megjithatë, Abdixhiku i mbijetoi këtij mocioni.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 58 mandate dhe së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë ka votat e mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re, pasi për to kërkohen 61 vota në Kuvendin prej 120 deputetësh.

Megjithatë, çështja e presidentit kërkon dy të tretat e votave të Kuvendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit për presidentit nxiti zgjedhjet e qershorit – të tretat që nga shkurti i vitit 2025.

Për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Një ditë më parë, Kurti tha se ka vullnet dhe gatishmëri për marrëveshje me LDK-në.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Prandaj çështja e presidentit pritet të jetë në qendër të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut./REL

 

Fraksion.com

 

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com