Ukraina nën sulm: Rusia lëshon raketa në të gjithë vendin
Sulme masive me raketa nga Rusia në mbarë Ukrainën. Raportohet për disa të vdekur. Presidenti Zelensky kërkon sisteme “Patriot” për t’u mbrojtur nga sulmet ruse.
Ukraina u bë sërish gjatë natës objektivi i një vale masive sulmesh nga ushtria ruse. Sipas mediave ukrainase, qytete në të gjithë vendin, deri në rajonet perëndimore që ndodhen larg kufirit me Rusinë, u goditën me dhjetëra raketa balistike dhe raketa lundruese, si edhe me qindra dronë. Raportohet deri tani për të paktën tetë viktima dhe më shumë se një duzinë të plagosurish si pasojë e sulmeve.
Në qytetin e Krivij Rihut, sipas një raporti të Kyiv Independent, një raketë goditi shtëpinë e një familjeje të madhe. Vetëm aty humbën jetën gjashtë persona, mes tyre dy fëmijë, ndërsa tetë të tjerë mbetën të plagosur. Nga kryeqyteti Kiev dhe rajoni i Poltavës u raportuan edhe dy viktima të tjera. Në qytetin e Lvivit, sipas njoftimeve të autoriteteve, pesë persona u plagosën.
Rusia i konfirmon sulmet. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, forcat e armatosura ruse kanë kryer gjatë natës sulme ndaj objektivave në të gjithë territorin e Ukrainës. Mes qyteteve të goditura, sipas njoftimit të publikuar në Telegram, ishin Kievi, Lvivi dhe rajoni i Dnipropetrovskut. Ministria ruse deklaroi se objektiv i sulmeve kanë qenë qendra ushtarake. Po ashtu, thuhet se pranë qytetit-port të Odesës janë qëlluar edhe tre anije mallrash, të cilat sipas Moskës, transportonin armë dhe pajisje ushtarake.
Zelensky kërkon forcimin e mbrojtjes ajrore me raketa “Patriot”
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte paralajmëruar që të mërkurën për një sulm të rëndë ajror nga Rusia që pritej të ndodhte së shpejti. Vetëm pak ditë më parë, Rusia kishte sulmuar Ukrainën dhe, sipas Zelenskyt, “ekziston një gjasë e lartë” që një sulm i ngjashëm të kryhej edhe gjatë natës. Këtë Zelensky e shkroi në rrjetet sociale, duke iu referuar një raporti të komandantit të Forcave Ajrore të Ukrainës. Presidenti ukrainas Zelensky iu bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë perëndimorë që të furnizojnë Ukrainën me raketa “Patriot” për mbrojtjen kundër sulmeve ruse me raketa balistike. Të martën, Zelensky zhvilloi bisedime në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me sistemin e mbrojtjes ajrore “Patriot”.
Fraksion.com

