“Hetim pasuror për zyrtarët e lartë, po cenohet siguria kombëtare”, Balliu akuza të forta: AKSHI dhe KAYO, nyja që lidh Ramën, Agasin, Ballukun, Ron Yefetin dhe krimin
Deputeti i Partisë Demokratike dhe nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Sigurinë Kombëtare, Klevis Balliu, hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke deklaruar se Shqipëria nuk përballet më me raste të izoluara korrupsioni, por me një shtet të kapur ku, sipas tij, pushteti politik, interesat private dhe krimi i organizuar funksionojnë si një mekanizëm i vetëm.
Deputeti i PD-së kërkoi që hetimet pasurore të shtrihen ndaj një liste zyrtarësh dhe personash të përmendur në dosjen e AKSHI-t, mes tyre Edi Rama, Belinda Balluku, Ergys Agasi, Armand Frangu, Gentian Likaj, Gerond Meçe, Mirlinda Karçanaj, Daniel Shima, Hava Delibashi, Altin Jani, Elira Kokona, Gjergji Taho, Igli Tafa, Kreshnik Tërnova dhe Fiorent Zguro. Ai kërkoi gjithashtu hetime për çështjen “Durana”, lejet e kullave, Ilir Prodën, Neritan Nallbatin dhe lidhjet me grupet kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Balliu u ndal edhe te ajo që e cilësoi si skema KAYO, për të cilën tha se e ka denoncuar prej muajsh në Parlament dhe në Komisionin e Sigurisë. Sipas tij, Belinda Balluku dhe Ron Yefet kanë vendosur nën kontroll një pjesë strategjike të industrisë ushtarake shqiptare përmes kompanive që prodhojnë, furnizojnë dhe tregtojnë armë, municione dhe pajisje ushtarake.
Sipas Balliut, Ron Yefet bleu një pjesë kompanie për vetëm 490 euro dhe më pas, përmes bashkimeve të kompanive dhe vendimeve të firmosura nga Belinda Balluku, arriti të kontrollojë kompani të industrisë së mbrojtjes që kanë përfituar kontrata publike me vlerë miliona euro. Ai e cilësoi këtë jo vetëm si një rast korrupsioni, por si një cenim të drejtpërdrejtë të sigurisë kombëtare.
Në përfundim, Balliu bëri të ditur se, në cilësinë e nënkryetarit të Komisionit për Punët e Brendshme, ka kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për aferën e AKSHI-t dhe paralajmëroi se opozita do ta ndjekë këtë kërkesë deri në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se “siguria kombëtare nuk mund të administrohet si pronë private e pushtetit dhe shteti nuk mund të dorëzohet në duart e korrupsionit”.
Fraksion.com

