AktualitetPolitikëTë fundit

Rama për “Channel 4”: Investimi në Zvërnec synon të rigjenerojë zonën, po vlerësohet ndikimi në mjedis

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Channel 4”, një nga kanalet kryesore televizive në Mbretërinë e Bashkuar, duke iu përgjigjur interesit për investimin në Zvërnec.

Rama deklaroi për televizionin britanik se nuk ka ende një projekt për Zvërnecin dhe sqaroi se “përfshirja e Sazanit është krejtësisht e panevojshme sepse aktualisht nuk kemi asgjë në Sazan”.

Kreu i Ekzekutivit theksoi në intervistën për “Channel 4” se projekti do të jetë në përputhje me direktivat e BE-së.

“Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një paralajmërim. Procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të cilët janë të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Shumë të famshëm. Dhe në të njëjtën kohë, ne po bëjmë vlerësimin e ndikimit në mjedis, në mënyrë të pavarur prej tyre. Pra, projekti nuk synon të shkatërroj një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë”, deklaroi Rama.

Intervista e plotë e Kryeministrit Rama dhënë për medien britanke “Channel 4”:

Gazetarja: Së pari, ju falënderoj shumë, zoti kryeministër, që na pritët. Protestuesit janë atje prej gati 60 ditësh tashmë. Si ndiheni që keni protestues jashtë zyrës suaj, natë pas nate, vazhdimisht, në këtë mënyrë?

Rama: E jashtëzakonshme për vendin, për shoqërinë, sepse në të njëjtin bulevard, jo shumë kohë më parë, rreth 15 vite më parë, njerëzit u vranë me plumba të vërtetë, ndërsa protestonin në mënyrë paqësore. Kam reflektuar shumë për këtë protestë dhe kam kuptuar se për njerëzit, dhe me të drejtë, nuk bëhet fjalë për faktet. Bëhet fjalë për pritshmëri më të larta të cilat i nxjerrin njerëzit në rrugë.

Gazetarja: Gjë që nuk është diçka e keqe.

Rama: Kjo është e jashtëzakonshme. Prandaj e thashë. Fantastike. Kështu që i kuptoj ata.

Gazetarja: A keni rishikuar ndonjë nga politikat tuaja për shkak të këtyre protestave?

Rama: Cilat politika?

Gazetarja: Politikat që lidhen me projektin në Sazan dhe Zvërnec, që ishte edhe pika nga ku nisi gjithçka, me shqetësimet për rrezikimin e habitatit të flamingove dhe habitateve të tjera atje.

Rama: Jo, nuk ka nisur asnjë projekt.

Gazetarja: Por unë e kam parë.

Rama: Jo.

Gazetarja: Atëherë çfarë kam parë? A nuk duhet t’u besoj syve të mi?

Rama: Do t’ju them se çfarë keni parë, por nuk ka nisur asnjë projekt. Dhe, për të filluar me Sazanin, të cilin e përfshitë në pyetjen tuaj. Në Sazan nuk ka asnjë projekt, nuk ka asnjë marrëveshje. Përfshirja e Sazanit është krejtësisht e panevojshme sepse aktualisht nuk kemi asgjë në Sazan.

Gazetarja: Por sigurisht që zoti Kushner dhe zoti Trump i kanë lidhur të dyja bashkë, apo jo? Ata kanë thënë se të dy projektet janë të lidhura.

Rama: Po, ideja është e lidhur me…

Gazetarja: Atëherë si shpjegohet sepse unë shkova në Zvërnec dhe pashë vendin ku projekti ka nisur. Projekti ka nisur në Zvërnec dhe ju thoni se nuk ka projekt. Çfarë pashë atëherë me rrethimet dhe të tjera?

Rama: Do t’jua shpjegoj. Ky nuk është fillimi i projektit, por vetëm punime përgatitore për të bërë ndërhyrjet paraprake përpara se të merret leja, e cila do të jepet bazuar në vlerësime mjedisore, gjeologjike dhe hidrologjike.

Gazetarja: Por zakonisht bëhet një vlerësim mjedisor përpara se të sillni buldozerët  sepse eskavatorët mund të dëmtojnë mjedisin. Normalisht do të merrnit disa shkencëtarë që të shkonin dhe ta vlerësonin zonën.

Rama: Eskavatorët atje janë përdorur për të hapur rrugën për njerëzit, për komunitetin, në mënyrë që të mos hapej një rrugë për komunitetin përmes pronës private dhe që njerëzit të mos pengoheshin të kalonin nga njëra anë në tjetrën. Pra…

Gazetarja: Por ata kalonin më parë në rrugën me rërë, e dini, kështu që nuk ishin të bllokuar më parë, por u bllokuan më pas sepse u penguan nga gardhi.

Rama: E kuptoj. Nëse doni faktet, unë po ju them faktet.

Gazetarja: Zoti Kushner ka thënë se ju ishit në jaht me ta kur ata e gjetën, kur zbuluan ishullin në vitin 2020.

Rama: Unë u ftova t’u bashkohesha disa njerëzve në një jaht që ndaloi në Shqipëri për t’u furnizuar me karburant gjatë rrugës për në Mal të Zi.

Gazetarja: Ky ishte jahti i Nath Rothschild?

Rama: Po, kështu që u ftova të shkoja. Shkova.

Dhe u takova me Jared dhe Ivanka. Nuk e di nëse kishin dëgjuar më parë për Shqipërinë apo jo, por mund t’ju them me siguri se ata nuk kishin ndonjë interes të drejtpërdrejtë për Shqipërinë. Ata ishin shumë të interesuar për historinë dhe vendin ku ndodheshin, e të tjera. Së pari.

Së dyti, disa muaj më vonë në Davos takova Jared, dhe ai shprehu këtë interes. Dhe tha se do të ishte i interesuar të shqyrtonte mundësinë e investimit.

Dhe sigurisht që thashë po. Si mund të thoja jo? Thashë po. Është gjëja më normale për mua. Kjo do të jetë një nga gjërat më të mahnitshme që do t’i ndodhë Evropës që prej një kohe të gjatë. Nuk kanë ndodhur shumë gjëra të mahnitshme në Evropë që prej një kohe të gjatë.

Gazetarja: Pse është e mahnitshme?

Rama: Sepse nuk do të jetë ashtu siç imagjinojnë njerëzit, gabimisht, dhe çfarë nuk imagjinoni ju, gabimisht.

Gazetarja: Nuk po e imagjinoj, sapo kam parë atë që Jared Kushner ka postuar në llogarinë e tij në Instagram – dhe kam parë disa nga planet e tjera, por e kuptoj që ato nuk janë planet përfundimtare.

Rama: Ajo që u publikua në Instagram ishte vetëm një paralajmërim. Projekti ka evoluar. Dua të them se procesi ka evoluar. Tani janë përfshirë arkitektë të nivelit më të lartë dhe projektues peizazhi të cilët janë të njohur për punën e tyre në zonat ligatinore. Shumë të famshëm.

Dhe në të njëjtën kohë, ne po bëjmë vlerësimin e ndikimit në mjedis, në mënyrë të pavarur prej tyre. Pra, projekti nuk synon të shkatërroj një vend të bukur. Ai synon ta rigjenerojë atë.

Gazetarja: Komisioni Evropian ka shprehur shqetësim. Padyshim që anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është shumë i rëndësishëm për ju. Komisioni është i shqetësuar për ligjet e mjedisit dhe është gjithashtu i shqetësuar për ndryshimin në ligjin për mjedisin të vitit 2024 i cili krijon një lloj boshllëku ligjor për investime strategjike. A mendoni se ndoshta mund ta rishikoni këtë?

Rama: Dëgjo, është mirë, është shumë mirë që Komisioni është i shqetësuar. Nuk mund të jetë ndryshe. Dhe meqë ra fjala, ne po negociojmë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian. Prandaj, vetë ideja se ne mund të ecim përpara me një projekt apo me çfarëdo projekti që nuk përputhet me standardet evropiane është absurde.

Unë thjeshtë po them që për këtë projekt, qetësohuni, flisni me fakte, komentoni faktet dhe shikoni faktet. Mos u emociononi tepër duke thënë se gjithçka është katastrofike.

Gazetarja: Duket se jeni mjaft i prekur personalisht nga këto akuza.

Rama: Jo jo, nuk jam i prekur.

Gazetarja: Epo, por duket se e merrni shumë qetë. Por është interesante, sepse duket se e merrni mjaft personalisht.

Rama: Dëgjo, gjithçka është personale. Kushdo që bën punën e tij me pasion, e përjeton personalisht. Por unë nuk jam i lënduar. Madje kjo më ka ndihmuar. Jua thashë edhe më parë, për mua protestat e qershorit, jo kjo e tanishmja, kanë qenë një konfirmim se vendi ka arritur në një nivel tjetër. Dhe, nga ana tjetër, një pasqyrë shumë e qartë për të parë se mbi çfarë duhet të reflektojmë.

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com