AktualitetTë fundit

Vrasësi i Santiago Malkos mbetet në burg për 28 vite: Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin për Ilir Selmanin

Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin me 28 vite burg për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko. Selmani nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa pas këtij vendimi pritet të transferohet nga masa e “arrestit në shtëpi” në një institucion të sigurisë së lartë për vuajtjen e dënimit.

Çështja ishte rikthyer për rigjykim në Apelin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) me vendim të Gjykatës së Lartë. Më herët, Selmani ishte liruar nga paraburgimi dhe ishte vendosur në arrest shtëpie për shkak të tejkalimit të afateve ligjore të paraburgimit.

Santiago Malko, ish-efektiv policie, u vra me armë zjarri në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë. Ai ishte larguar më herët nga Policia e Shtetit dhe emri i tij ishte përmendur në disa hetime për ngjarje të rënda kriminale. Autoritetet e konsideronin Malkon një person me lidhje të dyshuara me botën e krimit, ndërsa vrasja e tij mbetet një nga dosjet më të rëndësishme të krimit të organizuar në vend.

 

Fralsion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com