Zhupa: Akti normativ për koncertin e Kanye West shkel Kushtetutën
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëherësh kryetare e Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, tha sot se vendimi i qeverisë për të përdorur 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i emergjencave për financimin e koncertit të Kanye West është antikushtetues.
Sipas Zhupës, koncerti ishte prezantuar si një investim privat dhe si i tillë, duhej të financohej nga organizatorët përmes shitjes së biletave, sponsorëve dhe investimeve të tyre.
Në një deklaratë për mediet nga kryesia e Kuvendit, Zhupa tha se kjo nuk është thjesht një zgjedhje e gabuar politike dhe një shpërdorim i parave të buxhetit.
“Kjo bie ndesh me qëllimin e nenit 101 të Kushtetutës, i cili lejon nxjerrjen e akteve normative vetëm në raste nevoje dhe urgjence”, theksoi Zhupa.
“Emergjencat për të cilat ekziston ky fond janë tërmetet, përmbytjet, zjarret dhe fatkeqësitë që rrezikojnë jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve, jo financimi i një koncerti. Cila është urgjenca në këtë rast? Mosshitja e biletave? Vështirësitë financiare të organizatorëve? Asnjëra prej tyre nuk përbën emergjencë kushtetuese dhe nuk justifikon përdorimin e fondit rezervë të shtetit”, theksoi Zhupa.
Zhupa solli në vëmendje edhe situatën me zjarret, mungesën e kapaciteteve për mbrojtjen civile si dhe nevojat në sektorë të tjerë si shëndetësia, arsimi, bujqësia dhe pensionet, duke argumentuar se fondet publike do të ishin më të dobishme në këto fusha.
Ajo nënvizoi se “akti Normativ nuk mund të përdoret si mekanizëm për të anashkaluar kontrollin parlamentar sa herë që qeveria dëshiron të financojë një shpenzim të pajustifikuar. Nëse pranohet ky precedent, nesër çdo interes privat mund të shpallet “urgjencë” dhe të paguhet nga taksat e qytetarëve”.
“Për këtë arsye, Kuvendi ka detyrimin kushtetues të mos e miratojë këtë Akt Normativ. Deputetët nuk duhet të bëhen noterë të një vendimi që shkel nenin 101 të Kushtetutës dhe cenon vetë kuptimin e fondit të emergjencave”, theksoi ajo.
Fraksion.com

