AktualitetNATO/BEPolitikëTë fundit

Samiti i ardhshëm i NATO-s në Tiranë, Rama: Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në përfundim të samitit të NATO-s në Ankara se samiti i ardhshëm do të mbahet në Tiranë.

“Si thanë nuk do bëhet Samiti në Shqipëri? E po ka ikur ajo kohë kur bëhej çfarë të donin të tjerët me Shqipërinë. Tani Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Kështu që Samiti i ardhshëm do jetë në Tiranë”, u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Ankara, ku mori pjesë në punimet e samitit të NATO-s, që mbledh krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Aleancës për të diskutuar sfidat aktuale të sigurisë dhe prioritetet strategjike.

Samiti në Ankara bashkoi udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të NATO-s, si edhe partnerë kryesorë të Aleancës, ku u shqyrtuan çështje që lidhen me forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e investimeve në mbrojtje, modernizimin ushtarak dhe koordinimin e politikave të sigurisë.

Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu kapaciteti mbrojtës i Europës, objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, si dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.

Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në këtë samit riafirmoi angazhimin e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s për të kontribuar në forcimin e sigurisë kolektive dhe në përballimin e sfidave të përbashkëta të Aleancës.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com