AktualitetTë fundit

Shqiptarët tani po futen ilegalisht me jahte në Angli: “The Sun” infiltrohet brenda grupit të trafikantëve

Një investigim i publikuar nga tabloidi britanik “The Sun” hedh dritë mbi një skemë të dyshuar kontrabande, ku një rrjet shqiptaro-britanik pretendohet se përdor jahte luksoze për të transportuar emigrantë dhe persona me precedentë penalë drejt Mbretërisë së Bashkuar, duke shmangur kontrollet e rrepta në portet kryesore.

Gazetarët e “The Sun” janë paraqitur si një shtetas shqiptar i deportuar më parë nga Britania, pasi kishte vuajtur një dënim në burgun Wandsworth në Londër.

Pas kontakteve fillestare në platformën TikTok, komunikimi mes palëve është zhvendosur në WhatsApp, ku personat e dyshuar thuhet se kanë ofruar një vend në një jaht luksoz që do të nisej nga Holanda drejt zonës pranë Doverit, kundrejt një pagese prej 15.500 paundësh për person.

Në bisedat e publikuara nga media britanike, një prej personave të përfshirë pretendon se kishte qenë i dënuar më parë në Britani për trafik droge dhe ishte deportuar. Ai shpjegon se udhëtimi do të realizohej me një jaht me tre kabina luksoze, me një kapacitet deri në dhjetë pasagjerë dhe me ekuipazh shqiptar.

Sipas investigimit, pagesa duhej të kryhej në Shqipëri përpara nisjes, ndërsa pas mbërritjes pranë Doverit, emigrantët do të transportoheshin me automjete drejt Londrës.

“The Sun” pretendon gjithashtu se grupi kishte organizuar edhe më herët udhëtime të ngjashme, duke theksuar se një jaht ishte marrë me qira për rreth 50 mijë euro për realizimin e këtij aktiviteti.

Media britanike e lidh këtë rast me një fenomen më të gjerë të rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar të personave të deportuar. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, raporti thekson se gjatë pesë viteve të fundit, 4.614 persona janë rikthyer në Britani pas dëbimit, ndërsa më shumë se një e treta e tyre rezultojnë të jenë shtetas shqiptarë.

Investigimi përmend gjithashtu disa raste të mëparshme të goditura nga autoritetet britanike. Në muajin maj, pesë persona u arrestuan pasi një jaht me shtatë emigrantë u ndalua në brigjet jugore të Anglisë. Ndërsa në mars, dy shtetas ukrainas u dënuan me burg pasi organizuan transportimin e pesë shqiptarëve dhe një vajze vietnameze me jaht, kundrejt një pagese prej 13 mijë paundësh për person.

Pas publikimit të këtyre gjetjeve, “The Sun” njoftoi se e ka referuar rastin tek platforma TikTok, e cila mbylli llogarinë e raportuar brenda një ore, duke e cilësuar atë si shkelje të rregullave kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Sipas gazetës, dosja pritet t’i dorëzohet edhe Agjencisë Kombëtare Britanike të Krimit (NCA).

Në përfundim, tabloidi britanik trajton edhe aktivitetin e grupeve kriminale shqiptare në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur organizata të njohura të trafikut të drogës dhe duke theksuar se metodat e kontrabandës po evoluojnë, me përdorimin gjithnjë e më të shpeshtë të mjeteve luksoze lundruese për të shmangur kontrollet kufitare.

Deri në këto momente, autoritetet britanike nuk kanë publikuar një reagim zyrtar lidhur me pretendimet specifike të ngritura në këtë investigim.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com