Erion Veliaj mungon në gjyqin në GJKKO! Xoxa kërkon pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë pas lindjes së fëmijës
Mbahet sot në GJKKO, seanca e gjyqit në themel ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë që do të gjykohen me proces normal. Kryebashkiaku i Tiranës nuk është paraqitur sërish në seancë, pasi refuzon kafazin e qelqtë.
Bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, pas lindjes së fëmijës ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme dhe pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë sipas raportit shëndetësor.
“Vullneti i znj. Xoxa është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës. Ajo ka qenë në pamundësi për t’u njohur me përmbajtjen e tyre. Edhe më parë ka qenë me raport mjekësor, por ne kemi përgatitur dhe kemi punuar për kërkesat paraprake. E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj, duke bërë të ditur faktin se më 29 qershor ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit, ndaj nuk mund të realizohet një mbrojtje efektive. Kërkohet shtyrja e seancës deri në përfundimin e raportit të paaftësisë për punë. Sipas Kodit të Punës, kërkohet shtyrja e procesit deri në shuarjen e kësaj problematike. Ligji garanton 63 ditë leje pas lindjes. Sa më sipër, në këtë situatë faktike, duke qenë në pamundësi për të siguruar një mbrojtje efektive, kërkohet pezullimi i procesit, bazuar në të drejtën e çdo nëne”, tha avokati Gurali Brahimllari.
“Kërkoj të jem personalisht e pranishme dhe nuk autorizoj mbrojtësit e mi të vijojnë mbrojtjen time pa praninë time”, ka thënë Xoxa përmes një deklarate.
Seanca e kaluar, ishte e treta radhazi që GJKKO i pezulloi Veliajt afatet e paraburgimit. Po ashtu, Gjykata i ka rrëzuar edhe kërkesën për transmetim live të seancës dhe daljen nga kafazi.
Sipas prokurorit Ols Dado, qëndrimi në kafaz nuk përbën trajtim poshtërues, por është garanci për zhvillimin e procesit.
Për transmetimin live, gjykata thotë se është shprehur më herët dhe kamerat do të lejohen vetëm në nisje të seancave, gjatë pjesës teknike.
Fraksion.com

