AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha:: S’do jemin pjesë e seancave derisa të paraqiten në Kuvend ndryshimet e kërkuara nga protestuesit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë të mbështesë protestën qytetare pa u përpjekur ta politizojë apo ta marrë nën kontroll atë.

Gjatë një konference për mediet, Berisha tha se PD nuk do të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit derisa të shqyrtohen ndryshimet ligjore të kërkuara nga protestuesit.

Ai sqaroi se opozita nuk ka bojkotuar parlamentin, por ka vendosur të mos marrë pjesë në seancat plenare deri sa të futen në rend dite amendamentet e propozuara nga deputetët demokratë, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë pesë kërkesat e protestuesve.

Berisha tha se mazhoranca po bllokon shqyrtimin e këtyre amendamenteve, duke e cilësuar këtë si shkelje të të drejtave kushtetuese të opozitës dhe mungesë respekti ndaj protestuesve dhe qytetarëve. Sipas Berishës, Kuvendi duhet t’i paraqesë dhe t’i diskutojë këto propozime si detyrimin minimal ndaj publikut.

“Mbajtja e seancave pa i paraqitur propozimet në parlament, është një fyerje shumë e rëndë për opozitën, protestën dhe për shqiptarët.  Është një dhunim i të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës. Kjo është arsyeja dhe ky është qëndrimi.  Të vendosë kryesia, t’i paraqesim, t’i diskutojmë. Është detyrimi më minimal i parlamentit ndaj publikut, ndaj shqiptarëve dhe shqiptarëve në protestë”, tha Berisha.

Berisha tha se Partia Demokratike nuk ka organizuar protesta të tjera për të mos shpërqendruar vëmendjen nga protesta qytetare, të cilën e cilësoi si një nga mobilizimet më të mëdha në Shqipëri që nga viti 1990.

“Protesta nuk është e jona. Nuk bëjmë asnjë përpjekje në mënyrë absolute për ta akaparuar atë, as për ta përçarë. Marrim pjesë në protestë me të gjitha mundësitë tona, me anëtarë dhe mbështetës, pa asnjë simbol partiak. Thjesht si qytetarë. Dhe kjo është e vërtetë. Kanë marrë pjesë në tërësi deputetët, por si qytetarë. Kanë marrë pjesë me qindra dhe mijëra, sipas rastit, anëtarë dhe mbështetës tanë”, tha Berisha.

“Kjo protestë është mbështetur në mënyrën më të fuqishme për pesë pikat e saj. Ato lexoni, kanë qenë pika që ne i kemi mbrojtur me protesta në parlament dhe kudo. Dhe ne i mbrojmë.  Nuk kemi thirrur protestë tjetër. Jo, pikërisht për të mos shpërqendruar vëmendjen, interesin për këtë protestë madhështore të qytetarëve”, tha Berisha

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com