AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: PPE mbështet protestën dhe kërkon krijimin e një qeverie teknike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar sot gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale se Partia Popullore Evropiane (PPE) ka kërkuar krijimin e një qeverie teknike për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Berisha u ndal te raporti i misionit faktmbledhës të PPE-së, duke thënë se ai është miratuar me unanimitet dhe, sipas tij, përfaqëson një pasqyrë të plotë të realitetit politik në vend.

“Nga alfa tek omega, ky raport paraqet Shqipërinë një shtet të kapur nga krimi i organizuar dhe lidhjet e tij me nivelet më të larta të qeverisë,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se raporti, sipas tij, evidenton ndikimin e oligarkëve dhe karteleve të drogës në jetën publike dhe ekonomike.

Berisha tha se dokumenti ngre shqetësime për procesin zgjedhor, të cilin e cilësoi si të deformuar nga përdorimi i burimeve shtetërore.

“Raporti paraqet shndërrimin e procesit zgjedhor në një farsë të vërtetë zgjedhore nga përdorimi i të gjitha resurseve shtetërore dhe administrative nga partia shtet,” u shpreh ai.

Ai përmendi gjithashtu, problematika në funksionimin e institucioneve dhe raportet mes pushtetit dhe opozitës, duke theksuar bllokimin e komisioneve hetimore dhe mosrespektimin e vendimeve gjyqësore.

“Aty numërohen të gjitha dhunimet që i janë bërë PD-së, bllokimi i komisioneve hetimore, refuzimi i interpelancave dhe mocioneve me debat në kundërshtim me Kushtetutën,” deklaroi Berisha.

Duke iu referuar pjesës së rekomandimeve, Berisha theksoi se raporti përmban një zhvillim të rëndësishëm politik.

“Ato kërkojnë dhe mbështesin krijimin e një qeverie teknike apo kujdestare për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha ai, duke shtuar se kjo përbën, sipas tij, një arritje të rëndësishme për opozitën dhe qytetarët.

Gjithashtu, Berisha deklaroi se PPE ka mbështetur plotësisht protestën në Shqipëri për shkak të kauzës së saj të drejtë.

Ai theksoi se kjo përbën një zhvillim të rëndësishëm për pjesëmarrësit në protestë.

“Mendoj se kjo është një arritje e madhe në radhë të parë për ata djem dhe vajza, burra dhe gra që kanë 35 ditë që protestojnë për një kauzë të madhe kombëtare”, deklaroi ai.

Berisha shtoi se protesta është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe ka marrë vëmendje ndërkombëtare.

“Pra mund të themi se sot protesta mund të jetë ndoshta e vetmja protestë në 30 vitet e fundit në Shqipëri dhe Evropë, e cila ka marrë mbështetjen e plotë të të gjithë spektrit politik”, u shpreh ai.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com