35 ditë protestë! Ditët në vijim pritet të mos mbahen më fjalime
Sot më 4 korrik, u shënua dita e 35-të e protestave qytetare, me kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit, Edi Rama.
Ashtu sikurse ishte lajmëruar ditë më parë, e pranishme ishte dhe diaspora, e cila u bë dhe “shkak” që nuk u zhvillua marshimi i përnatshëm në rrugët e kryeqytetit. Nga numri i lartë i protestuesve, u vendos që të mos zhvillohet një marshim.
Gjithashtu, u la të nënkuptohej se në ditët në vazhdim nuk do të mbahen më fjalime, por mbetet për t’u parë se si do të procedohet nga qytetarët.
Tubimi i sotëm erdhi plot “surpriza”, pasi dhe përkoi me ditëlindjen e kryeministrit Rama. Qytetarët nuk e harruan këtë gjë, pasi dhe sollën tortë, por urimi nuk ishte i zakonshëm.
“Populli të uron! Jepe dorëheqjen, merr dhe Saliun me vete”, shkruhet mbi tortë.
Përveç tortave, mes turmës qarkulloi një arkivol, të mbajtur nga disa burra.
“Arkivoli politik i Ramës”, u cilësua prej qytetarëve, sipas pankartës së mbajtur nga një prej të rinjve.
Një prej protestuesve, në fjalën e tij shprehu kërkesën ndaj drejtësisë për hetimin e kryeministrit Rama.
Ditët e fundit ka pasur dhe përplasje midis qytetarëve dhe uniformave blu, për shkak të protestave të mbajtura përpara Kuvendit të Shqipërisë, ku janë hedhur vezë dhe miell drejt automjeteve të ligjvënësve. Lidhur me këto përplasje, ka pasur të paktën 19 arrestime dhe 12 të proceduar penalisht. Protestuesit kanë kërkuar hetim dhe përgjegjësi për veprimet e efektivëve.
Prej kohësh, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit të tij qeveritar. Si çdo ditë tjetër, edhe sot, protestuesit janë grumbulluar tek Sheshi Skënderbej e më pas kanë marshuar drejt Bulevardit Dëshmorët e Kombit, duke u bashkuar me pjesën tjetër të qytetarëve, përpara Kryeministrisë.
Nuk mungojnë asnjë ditë flamuj kuq e zi, pankarta të ndryshme, ku bëhet fjalë për thirrje për dorëheqjen e qeverisë, si dhe “flamingo”, simbolika e kësa proteste qytetare.
Fraksion.com

