Rama: Protesta e bukur ia la vendin filmit të vjetër të dhunës
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj akteve të dhunës gjatë protestës para Kuvendit.
Sipas tij, protesta e bukur e qytetarisë ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit dhe dhunës.
“Protesta e bukur e qytetarisë, atdhedashurisë, pastërtisë, ia ka lënë vendin tanimë filmit të vjetër të konfliktit, sherrit, dhunës, ku thonjtë e politikës së dështimit dhe zemërimit po dalin në pah me pisllëkun e tyre karakteristik”, u shpreh Ram në rrjetet sociale.
Jashtë mjediseve të Kuvendit, ndërsa deputetët hynin për nisjen e seancës plenare u shënuan përplasje mes protestuesve dhe policisë. Fillimisht protestuesit hodhën miell dhe vezë në drejtim të makinave të deputetëve.
Protestuesit u përplasën po ashtu me forcat e policisë duke hequr edhe një pjesë të gardhit metalik.
Përplasjet kanë vijuar me hedhjen e gurëve dhe sendeve të forta drejt policisë ku kanë pësuar lëndime dy efektivë.
Policia iu përgjigj përpjekjeve për heqjen e gardhit me spray djegës. Raportohet se disa protestues janë lënduar dhe kanë marrë ndihmë.
Fraksion.com

