Koçiu: Dhuna, gjuha e urrejtjes dhe politika e rrugës nuk mund të jenë kurrë lojëra për fëmijët
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu deklaroi sot se dhuna, gjuha e urrejtjes dhe politika e rrugës nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë lojëra për fëmijët.
Koçiu i konsideroi shqetësuese pamjet e disa fëmijëve të nxitur nga gjuha e urrejtjes, në protestë.
“Nga të gjitha pamjet që kanë qarkulluar këto kohë, kjo mund të jetë pamja më shqetësuese. Fëmijët duhet të mbajnë në duar libra, lapsa dhe lodra që u zhvillojnë mendjen, jo të përdoren si mish për top për të ushqyer agjendat e konfliktit të disa të rriturve të paudhë”, u shpreh Koçiu.
Keqpërdorimi i moshës më të pafajshme për të projektuar frustrime politike, sipas saj, është një vijë e kuqe që nuk duhet të kalohet nga askush.
“Kjo nuk ka të bëjë as me politikën, as me protestën, por me përgjegjësinë që kemi ndaj brezit të ri, për t’i dhënë një edukim të shëndetshëm, të mbështetur mbi vlerat dhe larg frymës së konfliktit, sepse vetëm kështu mund të rriten si qytetarë të një Shqipërie Europiane”, u shpreh Koçiu.
Fraksion.com

