Demo: Politika e përplasjes nuk duhet të lejohet të shfaqë anën e errët në kurriz të qytetarëve
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo reagoi sot pas protestës së zhvilluar para parlamentit, duke dënuar bllokimet e qarkullimit dhe aktet e dhunës që, sipas tij, prekën qytetarët e zakonshëm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Demo u shpreh se narrativa e një proteste të cilësuar si “paqësore” bie ndesh me realitetin.
Teksa publikoi një video të protestuesve duke ndaluar një autobus të transportit urban në Tiranë, Demo theksoi se viktimat nuk ishin politikanë por qytetarë të zakonshëm, të cilët u përballën me tensione dhe akte dhune.
“Sot u pa edhe një herë se sa larg është narrativa e një proteste të ashtuquajtur “paqësore” nga realiteti. Viktimat e radhës nuk ishin politikanët, por qytetarët e zakonshëm, pasagjerët e transportit urban në Tiranë, të cilët u përballën me bllokime, tension dhe akte dhune”, shkruan Demo.
Sipas tij, kur në emër të një kauze pengohet jeta normale e qytetarëve, cenohet liria e tyre e lëvizjes dhe vihet në rrezik rendi publik, maska bie.
“Kjo nuk është mbrojtje e interesit publik, por imponim përmes kaosit”, shkruan Demo.
Demo theksoi se Shqipëria ka nevojë për zhvillim, dialog dhe përgjegjësi, jo për dhunë.
“Politika e dështimit, e zemërimit dhe e përplasjes nuk duhet të lejohet të shfaqë anën e saj më të errët në kurriz të qytetarëve dhe të jetës së tyre të përditshme”, shkruan Demo.
Fraksion.com

